Veliaj, tur në kantierin e Arenës Kombëtare me artistët. Gaz Paja: CR7 s’do të rrudhë më buzët

28/06/2018 17:21

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe një grup aktorësh vizituan kantierin e ndërtimit të stadiumit të ri “Arena Kombëtare”, pasi siç tha ai, me një bashkëpunim të ngjashëm pritet që të ndërtohet edhe Teatri i ri Kombëtar.

“Jam shumë i lumtur që bashkë me miq aktorë, që kanë qenë pjesë e debatit konstruktiv për teatrin e ri, patëm sot një vizitë, së bashku me arkitektin e famshëm italian Marco Casamonti, që jo vetëm ka projektuar, por edhe po e mbikëqyr deri në detaje stadiumin e ri të Tiranës. Është një stadium, padyshim më moderni sot në Europë, nga rifinitura deri te koncepti bazë. Sot ishte vetëm një tjetër premtim i mbajtur për t’u treguar aktorëve se çfarë potenciali dhe fuqie kemi me teatrin e ri, që besoj se do të jetë kantieri i ardhshëm, pas stadiumit, për Tiranën”, tha Veliaj.

Ndërkohë, arkitekti italian Marco Casamonti i njohu artistët dhe aktorët me mundësitë që ka krijuar ky lloj bashkëpunimi, për realizimin në një kohë të shkurtër të një vepre të tillë moderne.

“Stadiumi dhe teatri janë ndërtesa shumë të ngjashme po t’i shohësh nga një këndvështrim, sepse janë bërë për publikun, janë bërë për kohën e lirë, për dëfrim dhe për të rritur nivelin kulturor të një vendi. Mendoj se stadiumi i Tiranës do të jetë një pikë referimi për qytetin. Jam i sigurtë që do të rivitalizojë plotësisht këtë pjesë të qytetit, duke e bërë një vend tërheqës dhe takimesh. Uroj që Tirana të mund të realizojë shumë hapësira për qytetarët dhe uroj që të ketë të njëjtin fat që pati sheshi ‘Skënderbej’, i cili para pak ditësh fitoi një çmim të rëndësishëm për arkitekturën”, u shpreh arkitekti Casamonti.

Aktorët që panë punimet në kantier ishin Alfred Trebicka, Armando Bora, Artan Imami, Laert Vasili, Monika Lubonja, Gazmend Paja, e të tjerë. I mrekulluar nga vizita në kantierin e stadiumit të ri, aktori i njohur Gazment Paja deklaroi jo pa humor se, tashmë as yjet e futbollit nuk do kenë më arsye për të mos ardhur dhe luajtur në Shqipëri.

“Ishte një guidë fantastike, është i bukur pa përfunduar, imagjino në fund. Ia vlejti që u bëmë me baltë. Unë i lutem kryetarit, që ashtu siç na lejoi sot të shohim ambientet, ta bëjë këtë edhe me njerëz të tjerë që janë të interesuar. Nuk kemi frikë tani se do të rrudhë buzët Ronaldo për kushtet, sepse i ka të gjitha: vetëm eja, se u ngelet detyrë çunave tani që të na zbardhin faqen”, tha Paja, një nga humoristët më të dashur për publikun e programit “Portokalli”.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel