Vetëm pak metra larg Amfiteatrit Antik, në rrugicën në krah të mureve bizantine dhe xhamisë “Fatih” ndodhet një nga të paktat shtëpi karakteristike qytetare durrsake të shekullit të XIX, që ruhet me fanatizëm.
Në të ndodhet Muzeu Etnografik i Durrësit, por jo vetëm kaq. Kjo është dhe shtëpia muze e aktorit me famë botërore të shekullit të kaluar, Aleksandër Moisiu.
E shpallur monument kulture, kjo shtëpi e vendosur në zemër të qytetit të vjetër, ka ç’të tregojë për turistët e shumtë të huaj e vendas, ndonëse në një qytet si Durrësi, me dëshmi të shumta arkeologjike, drejtuesit e grupeve turistike shpesh e anashkalojnë, ose mjaftohen me shpjegime sipërfaqësore nga jashtë.
“Ndonjëherë edhe mosinteresimi i atyre, sepse vijnë edhe e shohin shtëpinë si godinë të madhe, cicëronët janë ata që i udhëheqin dhe i tregojnë se kjo është shtëpia, duke shtuar dy-tre karakteristika e më pas interesi shuhet”, shprehet Alketa Tragaj, përgjegjëse e Muzeut Etnografik Durrës.
E gjithë godina, me pusin e vjetër në oborr dhe shkallët e drunjta, bart vlera historike, duke nisur nga ato arkitekturore. Brenda saj ruhen dëshmi të shumta të kulturës popullore të trevës së Durrësit, duke nisur nga kostumet popullore, stolitë e grave, minderet, mënyra e organizimit të odave, sofra e ushqimit me enët tipike të kohës, qëndismat, etj.
“Çdo çervë është e punuar me fije ari, por nëse elementi është shqiponjë, ajo vajzë që e mbante përfaqësonte një ndër familjet më të pasura”, shpjegon Tragaj.
E apasionuar veçanërisht pas kostumografisë popullore, Alketa tregon edhe se dy nga dhomat e kësaj shtëpie qytetare durrsake i janë kushtuar jetës dhe veprës së aktorit Aleksandër Moisiu.
Në shtëpinë muze, e cila u vizitua vjet nga rreth 600 vizitorë, pritet të hapet një tjetër dhomë ekspozimi, me shpresën se do të tërheqë më shumë kureshtarë.
Top Channel