Samiti i BE-së, pritet zyrtarizim i vendimit të Luksemburgut për Shqipërinë

28/06/2018 14:44

Pas ministrave të Jashtëm të BE-së, të mbledhur dy ditë më parë në Luksemburg, të cilët vendosën të hapin negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë në varësi të progresit të shënuar vitin e ardhshëm, sot është radha e udhëheqësve të BE-së për ta zyrtarizuar këtë vendim.

Pavarësisht hezitimit të vendeve si Holanda e Franca, vendet anëtare të BE-së u hapën rrugë bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë në vitin 2019, e tashmë i është kërkuar Komisionit Europian të përgatisë terrenin për nisjen e negociatave, por me kusht që më parë të zbatohen disa kritere: duhet vijuar me progres në reformat e gjyqësorit, shërbimeve të sigurisë, administratës publike dhe luftës kundër korrupsionit.

Tashmë për dy ditë në Bruksel, krerët e BE-së do të shprehin qëndrimet e tyre përfundimtare, pavarësisht se nisur nga zhvillimet e javëve të fundit, emigracioni do të jetë tema dominuese në axhendë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel u ka kërkuar udhëheqësve të punojnë së bashku për të gjetur një zgjidhje për emigracionin dhe tha në Parlamentin gjerman se ky mund të jetë një moment vendimtar për BE-në.

Ajo po kalon në fakt një javë të keqe. Pas ekipit gjerman të futbollit, që doli nga kampionati botëror të mërkurën, ajo përballet edhe me një sfidë që mund të bëjë ose zhbëjë karrierën e saj politike.

Deri të dielën, Merkel duhet të gjejë një zgjidhje për emigracionin, e cila do t’i jepte fund krizës politike në thellim që kërcënon qeverisjen e saj. Kriza e emigrantëve, në fakt nuk ka përmasat e vitit 2015, por tensionet e këtij muaji në lidhje me anijet me emigrantë që nuk u lejuan të hyjnë në portet italiane e kanë vendosur çështjen në krye të axhendës.

Italia dhe Greqia duan që barra të ndahet, por vendet e grupit të Vishegradit nuk pranojnë. Si një mundësi shpëtimi është hedhur ideja e qendrave pritëse të refugjatëve jashtë BE-së, madje është përmendur edhe emri i Shqipërisë, por asgjë nuk duket e lehtë.

Top Channel