Rrugë e re me koncesion; 100 mln euro për 18 km nga Miloti në Balldren

28/06/2018 15:15

Qeveria miratoi projektin e katërt të madh koncesionar në infrastrukturë nga paketa 1 miliardë euro. Bëhet fjalë për rrugën Milot-Balldren, pjesë e autostradës adriatiko-joniane.

Sipas projektit, ky segment ka një gjatësi 18.2 kilometër dhe do të kushtojë rreth 100 milionë euro. Rruga do të ndërtohet me koncesion nga një kompani private dhe më pas do të shlyhet më këste për disa vite nga qeveria.

Propozimi për segmentin Milot Balldren është bërë përmes një oferte të pa-kërkuar nga kompania shqiptare ANK. Për këtë arsye qeveria e ka shpërblyer kompaninë me një bonus prej 8.5 për qind të pikëve duke i dhënë avantazh në tenderin që pritet të zhvillohet shumë shpejt.

Rruga Milot Balldren është segmenti i katërt kombëtar që miratohet nga programi 1 miliardë euro i rindërtimit. Më parë, nga ky program janë miratuar rruga e arbrit dhe aksi Thuman-Kashar, ndërsa javën e shkuar qeveria miratoi edhe koncesionin e rrugës Orikum-Dukat.

Të katër rrugët e miratuara deri më tani kanë një kosto totale prej 670 milionë euro ose rreth 6 për qind e prodhimit kombëtar, pa përfshirë aeroportin e Vlorës. Të gjitha këto investime do të paguhen me këste nga buxheti I shtetit gjatë 15 viteve të ardhshme, ku fatura mund të shkojë deri në 100 milionë euro në vit.

Qeveria vazhdon të miratojë koncesionet e programit 1 miliardë euro edhe pse fondi monetar ndërkombëtar I pati kërkuar pezullimin e menjëhershëm të tij. Sipas FMN-së, procedurat se si qeveria jep koncesionet nuk garantojnë mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe mund të sjellë rreziqe të mëdha për financat e shtetit në të ardhmen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA