Me t’u kthyer në Shqipëri, Edi Rama mblodhi në Kryeministri ekipin e tij qeveritar dhe grupin parlamentar socialist, para të cilëve mbrojti vendimin e vendeve anëtare në lidhje me çështjen e negociatave me BE-në.

“Data për celjen e negociatave nuk është asnjëherë imediate. Vendosja më në fund e datës në 12 muaj nga sot si dhe drita jeshile për të nisur përgatitjet për negociatat me Komisionin Evropian është një zgjidhje optimale kompromisi, e cila e blindon përfundimisht perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë”, tha Rama.

Kryeministri u mor gjatë me opozitën, sipas të cilës Shqipëria u shty me një vit për hapjen e negociatave: “U shty data, u shty data sepse Europa refuzoi narkoqeverinë. Çfarë vulgariteti dhe ligësie ndaj vendit të përbashkët. Si mund të shtyhet një datë që nuk është vënë?”

Referuar gjithmonë opozitës, Rama tha se sjellja e saj ka habitur edhe shumë miq europianë të Shqipërisë, që, sipas kryeministrit, kanë mbetur gojëhapur nga përpjekjet e saj kundër negociatave: “Një grusht njerëzish pa fe, pa atdhe, pa din, pa iman. Me këtë opozitë që në frymë ka Esat Pashën, në gërmë ka Sali Efendiun dhe në fytyrë ka Babale Veliun”.

Rama theksoi se nuk ka asnjë kusht të ri për Shqipërinë. Për një kërkesë të Europës që lidhet me reformën zgjedhore, kryeministri tha se ishte shumë i lumtur: “Kërkesa për të adresuar rekomandimet e OSBE-së në ligjin zgjedhor, na vjen si dhuratë nga qielli sepse tanimë opozita nuk do të luajë më kukamshehti me këtë temë, duke shpikur për konsum politik kërkesa jashtë kornizës së rekomandimeve e duke refuzuar kërkesa si ato të OSBE-së për depolitizimin i komisioneve zgjedhore”.

Në fund, mes falënderimeve të shumta, Rama dha edhe lajmin se në vjeshtë pritet të vijë në Shqipëri për vizitë Presidendi francez Emmanuel Macron.

Top Channel