Negociatat, Basha: Humbje; Presidenti Meta: Një vit ikën shumë shpejt

27/06/2018 19:54

Duke shtyrë vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit për vitin 2019, Bashkimi Europian, përveç detyrave të shtëpisë për plotësimin e kushteve, u dha edhe një tjetër vit kohë kundërshtarëve politike në Shqipëri që të sulmojnë njëri-tjetrin si pengesë për integrimin europian.

Teksa kryeministri Edi Rama akuzoi për tradhti, kreu i PD-së Lulzim Basha tha se Brukseli nuk refuzoi shqiptarët, por qeverinë e tyre të lidhur me krimin, një qëndrim që e mbajti gjatë ditës edhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Lulzim Basha u shpreh: “Plani i parë është të përballemi me të vërtetën, unë, ju në këtë sallë, Partia Demokratike, partitë e tjera opozitare, qytetarët shqiptarë, të përballemi me të vërtetën. Pse na thanë jo? A hyn dot në Europë një vend që nuk bën dot zgjedhje të ndershme? A hyn dot në Europë një vend që i ka ministrat e Brendshëm njëri pas tjetrit të lidhur me drogën dhe me baronët e drogës ? Mënyra se si Edi Rama po e trajton këtë dështim politik tregon fare qartë se në qoftë se nuk bëjmë një kthesë të madhe, e njëjta gjë na pret edhe pas një viti. Ndaj, së bashku duhet të vendosim për këtë kthesë të madhe. Sa na takon neve, sa i takon opozitës, ne do të bëjmë gjithçka, ju garantoj se ne do të bëjmë gjithçka për ta larguar këtë të keqe të madhe”.

Ndërkohë, ambasadat e BE-së dhe SHBA-së treguan antuzizëm në Tiranë tek nxitën Shqipërinë për avancimin e reformës në drejtësi dhe luftën ndaj krimit e korrupsionit. Romana Vlahutin nënvizoi pozitivisht faktin se tashmë do të ketë një kalendar të qartë dhe Komisioni Europian nis punën përgatitore.

“Nuk mund të flas për diçka një vit më herët, por ky është një kalendar i qartë. Në botën e BE-së kjo tregon se ka një angazhim për këtë datë. Jemi të kënaqur sepse na jep mundësi që të lëvizim më shpejt dhe të fillojmë përgatitjet”, deklaroi Vlahutin.

Lu dhe Vlautin nuk i shpëtuan sulmit të kreut të opozitës: “Dështimi i sotëm është dështimi edhe i atyre që dhanë dëshmi të rreme, u bënë njësh me propagadën e Edi Ramës, nuk panë drogën, nuk panë krimin, nuk panë korrupsionin”.

Duke parashikuar se hedhje-pritjet në politikë do të vazhdojnë gjatë, Presidenti i Republikës bën thirrje për realizëm. Një vit nuk është larg, por situata në 2019 do të jetë më e ndërlikuar nëse nuk plotësohen kushtet, tha Meta.

“Një vit kalon shpejt, ashtu si nga dje kaloi një ditë. Provimi ynë i qershorit të ardhshëm do të jetë shumë i vështirë e kërkues, pasi edhe vetë Bashkimi Evropian do të ketë provimin e tij zgjedhor në të njëjtën kohë. Ndaj, i ftoj të gjithë për përqendrim, përgjegjësi dhe bashkëpunim”, u shpreh Meta.

Top Channel