Një ditë pas vendimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në lidhje me negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, kreu i diplomacisë Ditmir Bushati thotë se Tirana zyrtare e lexon këtë vendim njësoj si vendet anëtare të Unionit.

“Vendet anëtare të BE ju përgjigjën pozitivisht rekomandimit të komisionit për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit, përcaktuan një afat kohor se kur do të ndodh ky proces dhe e treta, vendet anëtare i dhanë dritën jeshile Komisionit Europian për të punuar me Shqipërinë në procesin përgatitor të negociatave”, shprehet Bushati.

Por nëse ky vendim vlerëson arritjet e Shqipërisë, përse hapja e negociatave u shty për në qershor 2019?

“BE ka vendosur një precedent në rastin e Malit të Zi dhe Serbisë, ku nisja e bisedimeve për anëtarësim nuk filloj menjëherë, por u përcaktua një afat kohor, i ngjashëm me të njëjtën logjik që ka përdorur edhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë”, shprehet ministri i Jashtëm.

Ministri i Jashtëm pohon se Shqipërisë nuk i janë vendosur kushte shtesë për të plotësuar deri vitin e ardhshëm.

“Nuk ka asnjë kusht shtesë. Edhe rekomandimi që ka bërë Komisioni Europian në prill në themel ka rekomandimin pozitiv për nisjen e bisedimeve dhe vijimin e kursit të reformave dhe thellësinë e tyre. E njëjta gjë është reflektuar edhe në konkluzionet e ministrave”, tha Bushati.

Por a është automatike hapja e negociatave në qershorin 2019 apo Shqipërisë do t’i duhet të kalojë përmes një vlerësimi tjetër?

“Në vjeshtë nis “screening”, puna përgatitore. Besoj se në vjeshtë duhet të kemi më të qartë edhe hapat që duhet të ndërmarrim së bashku me Komisionin Europian dhe vendet anëtare në këtë proces. E sigurt është që kursi i reformave duhet të thellohet, të konsolidohet”, thotë Bushati.

Deri në qershor të 2019 Shqipërisë i është njohur e drejta të nisë paraprakisht së bashku me Brukselin, procesin e analizës së kapitujve për të cilat do të negociojë në të ardhmen, i njohur me termin “screening”. Bushati shpjegon përse kjo është thelbësore.

“Screening është esenca e hapjes se negociatave”, tha ministri.

Në lidhje me opozitën që i kërkon dorëheqjen, ministri i Jashtëm u përgjigj me një buzëqeshje.

Top Channel