Johannes Hahn i del haptazi në krah Shqipërisë me thirrjet e drejtuara Bashkimit Europian për të çelur negociatat e anëtarësimit me vendin tonë dhe Maqedoninë.

Apeli i Komisionerit të Zgjerimit erdhi në prag të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, në Luksemburg, i cili paraprin vendimin e Këshillit Europian në Samitin vendimtar të bllokut në fund të kësaj jave, më 28-29 qershor.

Burime zyrtare nga Komisioni Europian njoftojnë se, Hahn u kërkon vendeve anëtare t’i japin “dritën e gjelbër” fillimit të bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke theksuar rëndësinë e përçimit të një mesazhi optimist për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, e shpresoj që ky është më në fund rasti, sesa e rëndësishme është dhënia e një sinjali pozitiv në rajon. Kemi punuar shumë dhe, nëse shihni arritjet atje, sikur dhe vetëm në muajt e kaluar, të gjitha janë rezultat i perspektivës europiane. Nëse kjo nuk shihet, kuptohet dhe përgjigjet në mënyrë të përshtatshme, atëherë unë vërtet nuk do ta kuptoja dot”, është shprehur Hahn në Luksemburg, gjatë zhvillimit të konferencës ndërqeveritare.

Shqipëria dhe Maqedonia kanë shpresë që në takimin e Luksemburgut të jepen sinjale pozitive, por ky rakordim nuk është i lehtë. Franca dhe Holanda kërkojnë më shumë reforma.

Ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok e pranoi se të dy vendet kanë bërë përparime të rëndësishme, por në të njëjtën kohë – sipas tij, – nuk janë ende aty ku duhet.

“Duam të shohim rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe në sundimin e ligjit”, deklaroi ai.

Ndërkohë, kryediplomati gjerman Michael Roth u shpreh optimist se ministrat do të bien dakord, ndërsa shpjegoi se mund të bëhet e qartë që sidomos Shqipëria duhet të përmbushë disa kushte për hapjen e kapitujve për negociatat.

Top Channel