“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së martës shkatërrimin e rrugëve automobilistike që të çojnë në fshatrat turistikë Dardhë dhe Sinicë, të Qarkut të Korçës. Megjithëse dhjetëra banorë kanë investuar në shtëpi të vjetra, ata kanë hasur probleme të shumta në hipotekë.

Rruga drejt fshatit Dardhë është vetëm 18 kilometra nga qyteti i Korçës. Disa pjesë të këtij segmenti janë të shkatërruara, ku vendin e asfaltit e kanë zënë gropat dhe pluhuri, ndërkohë që vetëm në disa segmente është ndërhyrë për ta përmirësuar. Automjetet e kanë të vështirë ta përshkojnë këtë aks.

Ndërkohë, “Fiks Fare” udhëtoi drejt fshatit Sinicë, vetëm 5 kilometra larg fshatit Dardhë. Rruga që të çon në këtë fshat kalon në një peizazh shumë të bukur, por është në gjendje shumë të keqe. Shteti nuk ka vënë dorë prej vitesh dhe, të vetmit që kanë ndërhyrë janë banorët e zonës. Rruga ka një kalldrëm të vjetër, ndërsa në pjesët më të mëdha është me gropa, baltë dhe mban ujë.

Banorët e Sinicës thonë se shteti nuk ka ndërhyrë që kur ka qenë kooperativa. “Në atë kohë ka pasur një punëtor mirëmbajtjeje, mbushte ndonjë gropë”, thotë një banor. Ndërkohë, një grua 51-vjeçare thotë se vetëm vuajtje ka gjetur në këtë fshat. “Ne vetëm Perëndinë kemi këtu. Jemi në dorë të Zotit. Fshati është i bukur, i lulëzuar, por vetëm kaq. Asnjë investim”, thotë ajo.

Një tjetër pohon se Sinica mund të jetë më e bukur se Dardha, pasi ka mal dhe ujë. “Këtu turistët kanë frikë që të vijnë. Neve na kanë braktisur edhe njerëzit e familjes. E kanë lënë në mëshirë të Zotit. As shkollë nuk ka”, thotë një tjetër banor.

Dhjetëra shtëpi në fshatin Sinicë janë rregulluar, ndërsa rrugët janë shtruar me kalldrëm. Mes për mes fshatit kalon një përrua, ndërsa mbi të është një urë guri shekullore. Banorët që janë larguar ndër vite kanë filluar të investojnë, duke i rinovuar shtëpitë dhe i përdorin për pushime. Por, krahas rrugës, banorët kanë probleme edhe me hipotekimin e këtyre shtëpive, gjë që ua bën të vështirë që t’i rinovojnë apo t’i shesin.

Në “Fiks Fare” u ankua zoti Ilo Damo, i cili ka vendosur që të investojë në Sinicë, në shtëpinë e gjyshit të tij. Ai banon në Tiranë dhe familja, që e ka në SHBA, e ka autorizuar që të rinovojë shtëpinë dhe të merret me dokumentet. Shtëpia është bërë që në vitet 1920, ndërsa shtëpia është dykatëshe, me orendi të vjetra.

Damo thotë se ka që në vitin 1990 që e kërkon këtë pronë. “Kjo shtëpi është e gjyshit tim, quhet Efthim Kotomelo. Ka emigruar në SHBA, punoi andej dhe bëri shtëpinë. Kam bërë të gjitha procedurat me harta, me topografë. Në fillim thoshin që shtëpia është e Thoma Pazollit. Mora deklaratë nga ai. Më thanë jo është e një Karalemo. I mora deklaratë atij dhe ua çova. Jo më thanë i duam të noterizuara. Ua noterizova dhe ua çova. Më sorollasin dhe më thanë se do rinovuar harta”, thotë Damo.

Më tej shton se një punonjëse e Hipotekës së Devollit, e quajtur Valbona Beshi, i dha një numër telefoni. “Kontaktova me këtë person për të bërë hartat. Më tha dua 300 mijë lekë. Dakord i thashë. Ky doli që ky ishte i shoqi i asaj në Hipotekë, pra bashkëshorti i Valbonës. Erdhëm këtu në fshat. I kishte në celular të gjitha. Bëri tre harta. Vetëm fotokopje. Nuk bëri asnjë gjë, as matje. Hartat i çova në Hipotekë. Tani vetëm më sorollasin”, thotë ai, ndërsa shton se personi që i bëri hartat quhet Gazmend Beshi. “Më e çuditshmja ishte që në hartën që bëri ky, vula nuk ishte e Gazmendit, por e një inxhinieri tjetër. Lekët mi mori Gazmendi, sesi i kanë ndarë ato punë. Më premtuan që e ke të mbaruar, por më kanë sorollatur”, thotë qytetari.

“Unë ta dija këtë punë, merrja nga 5 tulla dhe e bëja. E çoja nga ALUIZNI dhe e merrja me hipotekë. Kam aplikuar nja 50 herë. Që në vitin 1992 i jam futur këtyre punëve, por deri më tani asnjë gjë”, përfundon ai.

Për të vërtetuar sorollatjet, qytetari shkon në zyrën e Hipotekës së Devollit. Takon një specialiste, e cila i kërkon që t’i shohë dokumentet. Më pas i kërkon që të bëjë një pagesë, ndërsa nuk e sqaron nëse qytetari do ta regjistrojë apo jo pronën. Ajo i thotë se parregullsitë janë bërë kohë më parë, kur ish-punonjësit kanë hedhur gabim numrat e pasurisë në hartë.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel