Në mbrojtje të Shqipërisë, deputeti i CDU: Po përpiqemi të bindim francezët

25/06/2018 11:26

Gjermania, sipas deputetit te CDU-së, Johann Wadephul po përpiqet të bindë Francën t’i japë dritën jeshile çeljes së negociatave me Shqipërinë.

Nëse Gjermania ka një qëndrim pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Bashkimit Europian me Shqipërinë, Franca është vendi që ka dyshime për këtë hap, krahas Holandës.

Bundestagu pritet të konfirmojë të enjten këtë çeljen e negociatave me Shqipërinë pas rekomandimit pozitiv për negociatat të grupit parlamentar konservator, CDU/CSU të shoqëruar me kushte. Por Franca vazhdon të mbetet skeptike, dhe nga sa pohon Wadephul për DW, Berlini po përpiqet ta ndryshoje këtë fakt, duke hequr kështu një pengesë të madhe në rrugën e fillimit të bisedimeve për vendin tonë.

“Ne po shpenzojmë shumë energji që të bindim miqtë tanë francezë që të hapen negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë”, rrëfen ligjevënësi gjerman, i cili shton se megjithë vërejtjet kritike që ka pasur vendin, ai vete ashtu si CDU/CSU-ja, i gëzohet kontakteve miqësore me Shqipërinë.

Ndërkohë edhe eurodeputeti gjerman, socialdemokrati Knut Fleckenstein nuk e përkrah qëndrimin pritës francez për negociatat. Ai u shpreh po për DW se Parisi ka rezerva, por tha se mendon qe ky është një argument i gabuar, sepse negociatat nuk zgjasin disa ditë, por me vite dhe në këtë kohë mund të kryhen reformat tona të nevojshme për të pranuar vende të tjera.

Top Channel