Kalon gjyqtarja e “Karaburunit”, Brikena Ukperaj konfirmohet në detyrë

25/06/2018 11:03
Foto arkiv

Tre ditë pasi doli në seancë dëgjimore përpara trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtarja e Apelit Vlorë njëkohësisht kandidate për KLGJ, Brikena Ukperaj është rikonfirmuar në detyrë.

Në bazë të verifikimeve të KPK dhe relacionit të paraqitur nga ILKPKI, rezulton se gjyqtarja Ukperaj nuk ka asnjë shkelje në lidhje me deklarimet e saj.

Ndaj figura e gjyqtares konsiderohet nga organet e vettingut si e përshtatshme për vijimin e detyrës. Por teksa gjyqtarja kërkonte rikonfirmimin në detyrë, qytetari Isuf Bodo dhe familja e tij protestuan kundër mënyrës se si po zhvillohej vetting.

Ky ishte një ndër 11 qytetarët që kanë denoncuar gjyqtaren e Vlorës, por ankesat nuk u morën në konsideratë nga KPK-ja. Ankesa e familjes Bodo lidhet me skandalin e tjetërsimit të 220 hektarëve tokë në Karaburun, një histori që dënoi me 30 vite burg të akuzuarit, ndërsa familja Bodo që ndjek procesin civil për pronën, ende po zvarritet gjykatave. Gjyqtarja Brikena Ukperaj ishte e 16-a që kaloi në sitën e trefishtë të vettingut.

Top Channel