Vettingu e Reforma Zgjedhore, kushtet kyçe të Gjermanisë për negociatat me Shqipërinë

22/06/2018 20:10

Përmes një projektrezolute partitë e koalicionit qeveritar CDU/CSU e SPD kanë propozuar miratimin e hapjes së negociatave me Shqipërinë vetëm nëse do të realizojë disa kushte, ku prioritet është realizimi i Vettingut në një fazë të caktuar si dhe realizimi i Reformës Zgjedhore.

Kërkesa shtesë për reformën e ligjit zgjedhor
Bundestagu konsideron “të nevojshme” zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIR-it dhe të Komisionit të Venecias të 2013 dhe 2015 për reformën e ligjit zgjedhor, “edhe nëse kjo nuk është pjesë e katalogut evropian të kërkesave”.

Në këtë sfond, Bundestagu Gjerman është i pikëpamjes se vendimi për nisjen e negociatave me Shqipërinë duhet të merret vetëm me “kushte të formuluara qartë”.

Bundestagu shpreh dakordimin që qeveria gjermane “ta miratojë një vendim të Këshillit Evropian për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”.

Veç kësaj, në pikën 1 të projektrezolutës, Bundestagu i kërkon qeverisë që ta miratojë hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin Evropian vetëm

a) nëse “konferenca e parë e anëtarësimit” zhvillohet kur qeveria gjermane të ketë “konstatuar plotësimin e këtyre kushteve nga Shqipëria”:

– plotësimin e përfundimit të rivlerësimit të 57 gjykatësve dhe prokurorëve të gjykatave më të larta të përcaktuar si prioritarë në kuadër të vetingut dhe largimin nga shërbimi të personave me përfundime negative

– kur qeveria shqiptare të ketë paraqitur një ligj për një reformë të ligjit zgjedhor

b) konferenca e dytë e anëtarësimit të zhvillohet vetëm atëherë kur Këshilli të ketë konstatuar se janë plotësuar këto kushte:

– zbatimi i ligjit për reformën e nisur të ligjit zgjedhor
– të kenë nisur ndjekje penale për gjykatë e prokurorë të konstatuar në veting se kanë bërë shkelje penale

– të jetë angazhuar një strukturë speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar (SPAK)

– të jenë shtuar përpjekjet për të garantuar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe të SPAK përmes pajisjes së tyre me numër të mjaftueshëm gjykatësish e prokurorësh të verifikuar

– të ketë përparime solide në luftimin e kriminalitetit dhe të korrupsionit në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe nëpunësit e lartë civilë dhe politikanët. Këtu bëjnë pjesë “hetime proaktive, ndjekje penale dhe dënime në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar”

– rezultate të prekshme në reformën e administratës…duke përfshirë edhe “verifikimin e punësimit të nëpunësve civilë të rangut të lartë dhe të drejtorëve”

– të vazhdojë me intensitet luftimin e tregtisë dhe të kultivimit të drogës në Shqipëri.

Në pikën 2, projektrezoluta e Bundestagut kërkon që “nëse Shqipëria pas hapjes së negociatave për anëtarësim e zvarrit, ndërpret ose e kthen mbrapsht plotësimin e detyrimeve, të ndalen negociatat e anëtarësimit”.

Ndërsa në pikën 3, projektrezoluta i kërkon qeverisë që të bëjë të qartë se Shqipëria duhet të ndërmarrë “përpjekje shtesë të konsiderueshme” për ta garantuar sundimin e ligjit dhe vazhdimin e Vetingut. “Zbulimi dhe konfiskimi i mjeteve financiare në lidhje me korrupsionin” kërkohet shprehimisht në këtë kuadër.

Kapituj që të shoqërojnë të gjitha negociatat
Bundestagu Gjerman kërkon në pikën 4 të projektrezolutës për Shqipërinë që marrja me fushat me rëndësi qendrore “(para së gjithash kapitulli 23 Pushteti gjyqësor dhe të Drejtat Bazë, 24 Drejtësia, Liria dhe Siguria) “të kryhet që në fillim të negociatave dhe të përfundojë vetëm në mbyllje të negociatave”. Planet e veprimit të propozuara nga Komisioni për këtë “të kenë afate dhe objektiva të qarta”.

Veç elementëve të përmendur më lart, në pikën 5 të projektrezolutës kërkohet që të mbeten “pikërëndesa të negociatave” edhe “liria e mediave dhe e shtypit”, “të drejtat e personave në nevojë për mbrojtje dhe e pjesëtarëve të minoriteteve”, si dhe “një shoqëri e gjallë civile”.

Bundestagu kujton në pikën 6 të projektrezolutës se nuk duhet të ketë një anëtarësim automatik të Shqipërisë, “për shembull duke përmendur një datë anëtarësimi pa përfunduar negociatat”.

Ndërsa në pikën 7 Bundestagu i kërkon qeverisë gjermane që të luftojë që për “aquis communitaire” të miratohen “sa më pak dispozita kalimtare dhe përjashtime”.

Bundestagu kërkon në pikën 8 që qeveria gjermane të angazhohet që “Shqipëria t’i plotësojë që në procesin e anëtarësimit kërkesat e Paktit të Stabilitetit dhe të Rritjes së BE si dhe kriteret e stabilitetit të Marrëveshjes së Mastrihtit përpara se të anëtarësohet edhe zyrtarisht në bashkimin monetar”.

Së fundi, në pikën 9 Bundestagu kërkon që të informohet në vazhdimësi për stadin e negociatave dhe që përparimet e Shqipërisë drejt anëtarësimit të mos vlerësohen vetëm nga Komisioni, por “rregullisht edhe nga qeveria gjermane, duke angazhuar përfaqësitë diplomatike”.

Top Channel