Seanca dëgjimore ndaj gjyqtares së Apelit të Vlorës, Brikena Ukperaj, la të kuptohej se edhe ajo do të dalë triumfatore nga vettingu. Por, ndërsa gjyqtarja kërkoi konfirmimin në detyrë, i moshuari Isuf Bodo dhe familja e tij ndoqën të zhgënjyer procesin ndaj saj, e protesta e tyre ishte kundër mënyrës sesi po zhvillohet vettingu.

Emrat e tyre janë mes 11 qytetarëve që kanë denoncuar gjyqtaren Ukperaj, por këto ankesa nuk u morën në konsideratë nga KPK-ja për të vlerësuar profesionalizmin e gjyqtares. Ankesa e familjes Bodo lidhet me skandalin e tjetërsimit të 220 hektarëve tokë në Karaburun, një histori që dënoi me 30 vite burg të akuzuarit, ndërsa familja Bodo që ndjek procesin civil për pronën, ende po zvarritet gjykatave.

“Çështja ‘Karaburuni’ është çështja më e ndjeshme që ka pasur ndonjëherë shteti shqiptar. Me prona të falsifikuara janë regjistruar persona publikë me pasuri që ua kanë marrë njerëzve që i zotërojnë prej vitesh ato me tituj”, tha Vjosa Bodo, avokate dhe përfaqësuese e familjes Bodo.

Por cilat janë ankesat e familjes, që nuk u dëgjuan nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit?

“Ligji është i ngushtë dhe është shterpë. Zonja Ukperaj nuk ka analizuar vendimin gjyqësor në kohën që ligji i përcakton. Ka pasur afat ligjor për të interpretuar dhe për të dhënë vendimin e arsyetuar brenda 20 ditësh. Këshilli i Lartë i Drejtësisë më ka dhënë të drejtë e më ka thënë ‘Po, ka bërë një shkelje, por shkelja që ti kërkon nuk është aq relevante sa figura e saj të mos konsiderohet’. Atëherë unë kam një pyetje. Unë jam një qytetare e thjeshtë e këtij shteti, jam taksapaguese e rregullt. Babai im është 75 vjeç sot, xhaxhai im po aq… Edhe sa vite duhet të presim ne të ndershmit e kësaj Republike që të marrim të drejtën brenda afateve. Kush është ky gjyqtar i Republikës që tejkalon afatet e vendosura me ligj, për cilat arsye dhe rrethana? Kjo ishte arsyeja përse ne i kërkuam KLD-së dhe Komisionit të vettingut të vlerësonte profesionalizmin e saj në detyrë”, tha më tej Vjosa Bodo.

Isuf Bodo nuk i njeh ligjet si mbesa e tij Vojsava, por ai ka kaluar 28 vitet e fundit të jetës gjykatave. Zhgënjyes për të ishte edhe dënimi ndaj Pëllumb Petritit, i akuzuar si njëri nga falsifikatorët e tokave në Karaburun.

“Vendimi që është dhënë nga Gjykata e Apelit Vlorë, për mendimin tim është i nxituar. Gjyqi i parë u bë në prill, në nëntor kaloi në Apel jashtë radhe, sepse ata që kanë nxitur këtë falsifikim janë deputetë, janë me emra, janë edhe ministra. Njëri prej tyre është ministër, njëri është deputet”, thotë Isuf Bodo, denoncues.

TCH: Kush janë këta zotërinj, mund të flisni me emra?

“Po mund t’i gjeni, përfaqësuesit e atyre firmave… Njëri prej tyre ka deklaruar para pak ditëve se pasurinë e tij e vendosi me një kafene që ka bërë tek Universiteti”, thotë më tej Isuf Bodo.

I moshuari udhëtoi nga Vlora për të parë me sytë e tij nëse do të vendoste drejtësi KPK-ja apo jo.

“Mendova se do të kishte drejtësi nga vettingu, nuk mora. Jam i bindur tani se nuk ka drejtësi dhe është një tallje me popullin”, tha Bodo.

Gjyqtarja Brikena Ukperaj ishte e 16-a që kaloi në sitën e trefishtë të vettingut. Ndërkohë, pyetja që ngrihet është ndaj KPK-së: A po zhvillohen seancat e proceset brenda standardeve të vettingut? Kjo pyetje vjen në fakt pas reagimeve të shumta të qytetarëve, të cilët kanë denoncuar pranë organeve të vettingut, vendimarrje qoftë të prokurorëve, qoftë të gjyqtarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA