Protesta në Rrjoll për një mijë dynym në bregdet: Toka na u vodh në gjykatë

22/06/2018 19:30

Dhjetëra banorë të zonës bregdetare në Rrjoll të Velipojës kanë zhvilluar një proteste mesditën e së premtes, duke pretenduar se persona me pushtet janë duke u marre rreth 1 mijë dynym tokë.

Ata pretendojnë se janë pronarë të ligjshëm të kësaj sipërfaqe toke, por korrupsioni në sistemin e drejtësisë, konkretisht gjykatën dhe prokurorinë e Shkodrës, po përpiqet t’ua tjetërsojnë pronësinë.

“Toka është blerë në 1935 dhe që nga ajo kohë e deri më sot ne e gëzojmë. Pavarësisht se 50 vjet e mori komunizmi, ne do ta marrim sërish dhe nuk e dorëzojmë”, thotë një prej protestuesve.

“Ne nuk na jepet kurrë e drejtë, ndërsa tokën tonë po e marrin të pandërgjegjshmit”, thotë një tjetër.

“Këto kujtojnë se ky vend është i pazotë. Këtu kanë bërë mbivendosje ku edhe sot tentojnë ta grabisin pronën e këtyre banorëve këtu”, shprehet një tjetër banor.

Rrjolli, i ndodhur mes Shëngjinit e plazhit të Velipojës, me një natyrë të virgjër, është kthyer në një nga zonat bregdetare më të lakmuara për investime.

Top Channel