Deri më tani e kemi ditur se vepra më e njohur e shkrimtarit Marin Barleti, “Rrethimi i Shkodrës” është shkruar në vitin 1504, kur mes Turqisë dhe Republikës së Venedikut ishte vendosur paqja.
Një dorëshkrim i prezantuar këtë të premte për herë të parë nga dy studiuesit Aurel Plasari dhe Lucia Nadin, fakton se vepra është shkruar mes viteve 1499-1501, kohë kur Shqipëria nuk ishte në paqe, por krejt në rrethana të tjera.
“Është e kundërta. Nuk janë rrethanat e paqes, por në Shqipëri ka ndodhur kryengritja e Lezhës, ka ndodhur zbritja në Arbëri e Skënderbeut, i ftuar nga arbërit. Subjekt që e ka përmendur në leksionin e tij edhe profesor Pëllumb Xhufi. Në projektin për marrjen e Krujës dhe Shkodrës”, deklaroi Plasari.
Faktet e reja kërkojnë edhe ndryshimin e të dhënave në historinë shqiptare: “Rëndësi paraqet tashmë ky dorëshkrim, që qoftë edhe si skaj të fundit ka vitin 1500, pra në diferencë nga viti i botimit 1504. Fakti që dorëshkrimi na del maksimumi i vitit 1500, na e ndryshon këtë të dhënë dhe duhet të bëjmë një rivendosje tjetër”.
Dorëshkrimi momentalisht ndodhet në një bibliotekë në Francë, ndërsa për publikun shqiptar do të jetë i aksesueshëm në variantin digjital në javët e para të muajit korrik, përmes Bibliotekës Kombëtare.
Top Channel