Dy autobusë, njëri prej të cilëve “fizarmonikë”, u përplasën pranë Kthesës së Kamzës mëngjesin e së premtes.

Autobusi i linjës Tiranë-Kamëz u godit nga pas nga një autobus tjetër i linjës Uzina Autotraktori-Institut. 6 pasagjerë që udhëtonin në dy mjetet e tranportit publik u dërguan në spital për ndihmë mjekësore. Fatmirësisht, ata kanë marrë lëndime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Nxitimi i shoferëve për të marrë sa më shumë pasagjerë në stacionin e radhës dyshohet se është shkaku kryesor i aksidentit, megjithatë Policia Rrugore po merr në pyetje dy shoferët e autobusëve.

Aksidenti shkaktoi trafik të rënduar në këtë aks, ndërkohë që për Policinë Rrugore problematika e mjeteve të trasnportit publik është e njohur. Sipas burimeve, ndaj këtyre linjave ka patur edhe ankesa nga qytetarët, të cilët thonë se lëvizin shumë ngadalë, ndërsa kur i afrohen stacioneve bëjnë manovra të rrezikshme.

Në një vit me autobusët e linjave urbane të Tiranës udhëtojnë 1.2 milion pasagjerë. Për pjesën dërrmuese të banorëve të kryeqytetit, autobusët janë mundësia e vetme e udhëtimit në distanca të gjata.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA