Elbasan, pushimet e fëmijëve? Mbyllur në shtëpi në pamundësi argëtimi

22/06/2018 12:23

Lorenco është 12 vjeç. Ai është një nxënës i shkëlqyër që sapo ka mbaruar klasën e 6, e ndërsa përgatitet për të 7-n, tri muajt e verës duhet të shërbejnë që ai të çlodhet, të argëtohet dhe të grumbullojë energji të reja për vitin e ri shkollor.

Por, jeta e Lorencos dhe e shumë fëmijëve të tjerë në Elbasan, pas shkollës është e mbyllur në shtëpi, para televizorit, kompjuterit apo telefonit.

“Kemi qejf që të krijohen kampe të ndryshme verore, ku të mund të argëtohemi fizikisht, e jo duke u marrë me telefonin apo kompjuterin, pasi ato janë të dëmshme për ne”, thotë Lorenco Çuli.

Në ato raste kur kanë mundësi, prindërit i marrin fëmijët në punë. Edhe pse nuk është zgjidhja ideale dhe fëmijët mërziten, përsëri prindërit janë më të sigurtë sesa t’i lënë vetëm në shtëpi.

“Do të doja shumë të dilja në lagje dhe të mos rrija këtu te puna e mamit, për të luajtur me shokët atje, sepse këtu mërzitem”, thotë Arbri.

“Kur mami ka punë, unë rri me gjyshërit e mi, e kaloj kohën me ta. Sa herë kam kohë të lirë rri ose përpara kompjuterit, ose me telefonin në duar”, thotë Damiani.

Prindër e gjyshër, në këtë stinë të vitit gjenden përballë një situate të vështirë, ku nga njëra anë fëmijët duhet të argëtohen, e nga ana tjetër të rriturit duhet të punojnë.

“Të organizohen kampe verore për fëmijët, që të largohen nga kompjuterët dhe celularët. Ju lutemi shumë për këtë”, thotë një prind.

“Do të doja të kishte kampe verore, siç kanë qenë dikur, që fëmijët të organizoheshin me lojëra të ndryshme dhe të mos merreshin shumë me telefonat e kompjuterët”, thotë një tjetër prind.

Organizime të tilla për argëtimin e fëmijëve, ose mungojnë totalisht, ose në rastin e nismave private, çmimet janë goxha të kripura dhe të pamundura të kapen nga shumica e qytetarëve të Elbasanit.

Top Channel