Me anë të një statusi në profilin e tij në “Facebook”, kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim thotë se Ruçi groposi Parlamentin duke hedhur për votim mbylljen e diskutimeve me kërkesë të mazhorancës dhe vetëm me votat e saj, pa pasur asnjë kërkesë apo dakordësi nga opozita, që ajo të tërhiqej nga diskutimet.

“Kryetari i parlamentit groposi sot gjithçka në parlament. Ai hodhi për votim dhe votoi mbylljen e diskutimeve me kërkesë të mazhorancës dhe vetëm me votat e saj, pa pasur asnjë kërkesë apo dakordësi nga opozita, që ajo të tërhiqej nga diskutimet. Të drejtën për t’u tërhequr nga diskutimet e ka vetëm çdo deputet individualisht apo kryetari i grupit parlamentar në emër të të gjithë grupit dhe askush tjetër. Kjo nuk ndodhi dhe këtë e panë të gjithë shqiptarët ditën për diell”, shkruan Vasili.

Më tej, Vasili thotë se opozitës u grabit e drejta e fjalës, duke e quajtur ngjarjen më të rëndë në pluralizëm sa i përket zhvillimeve në parlament. “Pra banditët e mazhorancës, të mbështetur nga Ruçi, i grabiten opozitës të drejtën e patjetërsueshme të fjalës, të garantuar me rregullore e kushtetute. Kjo është ngjarja më e rëndë e të gjithë parlamentit pluralist. Ruçi me vullnet të plotë dhe si mashë e verbër e kryeministrit halabak, e mori vetë përsipër një vendim te tille dhe varrosi integritetin juridik te drejtimit te parlamentit dhe te tijin personal. Tash e tutje parlamenti nuk ka as kryetar parlamenti dhe as rregullore. Çdo belbezitje e kryetarit te parlamentit për gjoja respektimin e rregullores dhe etikës është as më shumë dhe as më pak se sa një faqe turpi më shumë drejt një mbylljeje të përlyer dhe pa asnjë dinjitet e karrierës së tij të gjatë politike, që Edi Rama ja doli t’ja ndyjë në mënyrë të pakthyeshme”, shkruan Ruçi.

Top Channel