Holanda do të bllokojë hapjen e negociatave me Shqipërinë për anëtarësimin në BE, ky është lajmi që vjen nga agjencia e lajmeve holandeze “De Telegraaf”, që raporton se ky është edhe mesazhi që shumica e Dhomës së Përfaqësuesve do të përçojë përmes qeverisë në mbledhjen e radhës së ministrave të Jashtëm të BE.

“Kemi një shqetësim serioz për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri”, ka deklaruar ministri i Jashtëm, Stephanus Abraham Blok, por sërish Holanda nuk ia ka mbyllur dyert Shqipërisë, raporton “De Telegraaf”, e cila shton se kjo është edhe arsyeja se përse partitë VVD, CDA, CU, PVV, SP dhe 50Plus po mbledhin votat për t’ia ndaluar qeverisë që të pranojë hapjen e negociatave me vendin tonë.

Deputeti i CDA, Van Helvert pranon influencën në rritje të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor, por sipas tij kjo frikë nuk mund të jetë një kriter për hapjen e negociatave.

Helvert, raporton “De Telegraaf”, e pranon progresin në Shqipëri, por ecuria e dobët e Vettingut nuk është bindës për hapjen e negociatave.

“Po ka progres në Shqipëri, si për shembull me reformën në gjyqësor, por nga 800 gjykatës vetëm 10 janë testuar. E me këtë me këtë nuk mund të thuash që vendi është gati për hapjen e negociatave”, ka deklaruar Deputeti i CDA, Van Helvert.

Sipas “De Telegraaf”, vetëm D66 dhe GroenLinks janë dakord për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Parti të cilat besojnë se dy shtetet ballkanike do të kujdesen më mirë për sundimin e ligjit, qasjen ndaj krimit dhe luftën kundër korrupsionit nëse kanë një perspektivë të qartë të pranimit. “Negociatat nuk do të thotë se ata mund të bashkohen,” ka deklaruar deputeti Verhoeven i D66, duke shtuar se ky veprim nuk është aspak i nxituar.

Top Channel