“Shkarkoni Shkëlzen Selimin!” Protestë e shoqërisë civile para “vettingut”

20/06/2018 11:21

Për shoqërinë civile, vetting-u i gjyqtarëve dhe prokurorëve është i vonuar, ndonëse vetëm sot KPK-ja ka zhvilluar dy seanca të njëpasnjëshme, atë për prokurorin e Apelit të Tiranës, Gentian Trenova dhe gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Tiranë, Ilir Toska.

Një grup banorësh të Tiranës zhvilluan një protestë para ndërtesës ku po zhvilloheshin seancat e vetting-ut. Ata mbanin pankarta në duar kundër gjyqtarëve të korruptuar.

“Vetting-u të nisë punën me kriminelët e vërtetë, të japë drejtësi për Gërdecin, 21 Janarin dhe të godasë gjykatësit që nxjerrin vrasës dhe mafiozë nga burgu”, thanë përfaqësues të Shoqërisë Civile në protestën e sotme.

Ata kërkojnë drejtësi dhe jo vetëm shkarkimin e tyre nga organet e vetting-ut: “Nuk ka pse lodhet vetting-u me kriminelin Shkëlzen Selimi sepse e ka të zezën mbi të bardhë. E ka shkruar vetë krimineli se si shkeli mbi gjakun e viktimave të Gërdecit. Ta heqin nga detyra, ta fusin në burg për tradhti të lartë, t’i sekuestrojnë edhe pronat”.

Shoqëria civile kërkoi drejtësi për Gërdecin dhe 21 Janarin, gjyqtarët e të cilëve, sipas tyre, ende nuk kanë bërë drejtësi, por kanë lënë të lirë fajtorët e vërtetë.

Top Channel