Ministria e Brendshme ka reaguar përmes një komunikate në lidhje me jehonën mediatike të kronikës televizive të rrjetit gjerman ZDF, një ditë më parë, duke hedhur poshtë mundësinë e ndërtimit të kampeve për emigrantë në Shqipëri.
“Ndërtimi i kampeve nuk është një çështje as në shqyrtim dhe as në diskutim. Askush nuk e ka kërkuar deri më sot dhe askush nuk e ka ofruar një gjë të tillë”, thuhet në sqarimin e MPB-së.
Në fakt, sipas këtij dikasteri, thëniet e zv.ministrit Julian Hodaj të cituara në kronikë janë përgjigje e një pyetjeje konkrete se “çfarë mund të bënte Shqipëria në kushtet e një emergjence emigrantësh”.
Siç është shprehur ai, Shqipëria e ka treguar gjatë luftës së Kosovës se është në gjendje të përballojë këto emergjenca. Kurse Ministria e Brendshme, duke u kujdesur të evitojë spekulimet dhe keqpërdorimin e përmbajtjes së kësaj kronike, thekson se përgjigja e Hodajt lidhet me një situatë hipotetike emergjence, e jo mbi një diskutim nëse një kamp mund të ndërtohet ose jo në Shqipëri.
Top Channel