Bursat kanë vijuar të bien në të gjithë botën nën diktatin e kërcënimeve më të fundit të presidentit Trump për tarifa të reja mbi mallrat kineze.
Dow Jones ishte më shumë se 300 pikë minus, apo 1.6 për qind, në hapje, pasi tregjet aziatike dhe ato evropiane u tronditën rëndë më herët. Trump, ka kërcënuar se do të vendosë tarifa mbi 200 miliardë dollarë mallra kineze shtesë, duke ndezur akoma më shumë frikën e një lufte tregtare. Presidenti amerikan tha se tarifat do të vendoseshin nëse kina do të refuzonte të ndryshonte praktikat e saj.
Ai dënoi praktikat e padrejta të kinës në lidhje me blerjen e pronësisë intelektuale dhe teknologjisë amerikane dhe shtoi se në vend që ti ndryshojë këto praktika, kina kërcënon kompanitë amerikane, punëtorët dhe fermerët që nuk kanë bërë asnjë gabim.
Tregjet reaguan keq pas këtyre deklaratave, me bursën kineze Shanghai Composite që u mbyll me rezultatin më të keq në Azi, duke e përfunduar ditën me 3.8 për qind humbje. Në Europë, indeksi Dax i Gjermanisë u mbyll me 1.2 për qind më pak dhe ai Cac 40 i Francës humbi 1.1 për qind. FTSE e Londrës e mbylli ditën me një rënie prej 27 pikësh ose 0.36 për qind.
Përtej përplasjes së Trump me kinën, Rusia tha se do të vendoste tarifa mbi disa mallra amerikane si reagim ndaj tarifave të vendosura nga SHBA mbi hekurin dhe aluminin e importuar. Zyrtarët rusë thanë se tarifat do të vendoseshin për ato mallra për të cilat ekzistojnë ekuivalentët vendas në rusi.
Top Channel