Videoja që qarkullon në internet, me zërat vajtues të fëmijëve të ndarë nga prindërit e tyre në kufi, e ka bërë edhe më të prekshme dramën e re të emigracionit në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Donald Trump tha të hënën se ndarja e fëmijëve nga prindërit, që përpiqen të hyjnë ilegalisht në SHBA, është “tepër e dhimbshme”, por nuk dha shenja se do të ketë ndryshim të politikave.
Regjistrimi nga ana tjetër nxjerr edhe një herë në pah errësimin e anës njerëzore të çështjes.
Dhoma e Përfaqësuesve përgatitet ta votojë këtë javë reformën e ligjit të emigracionit. Dikur një praktikë e rrallë, tani punonjësit e rendit i ndajnë rregullisht familjet që kërkojnë azil apo tentojnë të hyjnë në mënyrë të paligjshme në territorin amerikan.
Rreth 2.000 të mitur janë ndarë nga familjet e tyre gjatë një periudhe gjashtëjavore, deri në fund të majit.
Edhe pse kushtet e qendrave të pritjes për ta janë të mira, politika e tolerancës zero po ndeshet me një valë në rritje zemërimi.
Protesta masive u organizuan gjatë fundjavës në mbarë vendin, ndërsa ligjvënës, udhëheqës fetarë e shtetas amerikanë e kritikuan ashpër këtë lëvizje të qeverisë.
Ish-Zonja e Parë, Laura Bush tha madje se pamjet e fëmijëve që ngjeshen nëpër dyqane të kthyera në vendstrehime të kujtojnë kampet japoneze të Luftës së Dytë Botërore, që tani konsiderohen si një prej episodeve më të turpshme në historinë e Amerikës.
Top Channel