Qeveria e Maqedonisë ka miratuar në unanimitet marrëveshjen e nënshkruar me palën greke për emrin e ri të vendit, Maqedonia e Veriut.

Marrëveshja është aprovuar gjatë mbledhjes së kabinetit këtë të hënë, ndërsa tani do të kalojë në Kuvendin maqedonas, për t’u votuar edhe atje gjatë një seance plenare.

“Në seancën e 74-t, Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka shqyrtuar dhe aprovuar projektligjin për ratifikim të marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve, siç përshkruhet në Rezolutën e Këshillit të Kombeve të Bashkuara 817 (1993) dhe 845 (1993), ndërprerje të Kornizës Kohore të vitit 1995 dhe vendosjen të partneritetit strategjik ndërmjet palëve, me propozim të Ministrisë për Punët e Jashtme. Projektligji për ratifikim do të dorëzohet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë.

Megjithatë, mbetet e paqartë se cili do të jetë komisioni kuvendor që do të kalojë leximin e parë të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve me Greqinë.

“Nuk ka dilema, Komisionin e vendos kryetari i Kuvendit në bazë të projektligjit të dorëzuar, në pajtueshmëri me Rregulloren e Kuvendit”, deklaroi koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Tomislav Tuntev.

Top Channel