Dita e pestë e Botërorit të Rusisë do të shohë të përballen me njëra-tjetrën Suedinë dhe Korenë e Jugut, por përpara fillimit të takimit raportohet një histori e padëgjuar më parë.
Trajneri i koreano-jugorëve është shprehur se i ka detyruar lojtarët të veshin fanella me numra të ndryshëm gjatë miqësoreve të fundit, në mënyrë që të shkaktonte konfuzion te rivalët, me të cilët do të përballej në Rusi.
Vetëm sulmuesi i Tottenhamit, Son Heung-min, dhe kapiteni Ki Sung-yueng kanë veshur fanellat me numrat respektivë kundër Bolivisë dhe Senegalit, në miqësoret e zhvilluara në fillim të qershorit.
“Ua ndryshuam numrat e fanellave, sepse nuk donim t’u tregonim kundërshtarëve tanë gjithçka të mundshme. Sigurisht donim edhe t’u shkaktonim konfuzion”, thotë trajneri koreano-jugor Shin Tae-yong. “Ata normalisht i njohin disa prej lojtarëve tanë, shumë pak në fakt, sepse për perëndimorët është e vështirë të bëjnë dallimin mes aziatikëve, ndaj dhe vendosëm të bëjmë këtë gjë. A është e lejueshme? Të gjithë trajnerët e ndiejnë rrezikun se kundërshtarët e tyre kanë dërguar spiunë për të mësuar detaje. E kjo më duket shumë natyrale, që të gjithë ne përpiqemi të marrim sa më shumë informacione të mundemi nga kundërshtarët”.
Ndërkohë, edhe trajneri i Suedisë ka kërkuar falje, pas pretendimeve se një prej ndihmësve të tij ka spiunuar atë çfarë kishte parë gjatë një seance stërvitore me dyer të mbyllura të Koresë së Jugut. Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Janne Andersson u dha përgjigje akuzave se njëri prej spiunëve të tij, Lasse Jacobsson, kishte parë sesi përgatiteshin koreano-jugorët në Austri.
“Ai kishte dëgjuar për një seancë stërvitore, por nuk e kishte kuptuar se ishte me dyer të mbyllura, ndaj dhe e kishte parë nga distanca”, tha Andersson. “E rëndësishme mbetet që ne të tregojmë respekt për të gjithë kundërshtarët tanë, në çfarëdolloj rrethane. Nëse dikush kërkon ta interpretojë në mënyrë tjetër, ne thjesht do të ndiejmë keqardhje”.
Ndeshja mes Suedisë dhe Koresë së Jugut do të nisë në orën 14:00 dhe do të jetë vendimtare për ecurinë e mëtejshme të secilës prej tyre në fazën e grupeve, pasi bëjnë pjesë në një grup të vështirë me Gjermaninë dhe Meksikën.
Top Channel