Mbrojtësi dhe kapiteni Vincent Kompany do të qëndrojë me ekipin kombëtar të Belgjikës, pavarësisht dëmtimit që ai ka. Vendimin e ka marrë vetë trajneri spanjoll i skuadrës belge, Roberto Martinez.

Trajneri spanjoll kishte mundësinë që të bënte një ndryshim në listën prej 23 futbollistësh që kanë shkuar në Rusi, deri më sot para takimit të parë kundër Panamasë. Kompany nuk luan për shkak të një dëmtimi muskular që mori në ndeshjen miqësore me Portugalinë, dy javë më parë dhe Martinez nuk ka parashikuar të sjellë asnjë tjetër futbollist, me shpresën që Kompany mund të riaftësohet deri në ndeshjen me Anglinë.

“Kemi marrë një vendim gjatë javës së shkuar dhe do të mbajmë vetëm këta 23 futbollistë. Nuk do të bëjmë ndryshime sepse mendojmë se rikuperimi i Kompany po shkon shumë mirë. Është një pjesë e çmuar e kësaj skuadre dhe prezenca e tij është shumë e rëndësishme për grupin”, pohoi Martinez.

Emri më i mundshëm që mund të zëvendësonte Kompany ishte Laurent Ciman, i cili dje është kthyer në Belgjikë. Ndërkohë trajneri Martinez ka një tjetër mbrojtës me probleme dhe ai është Vermaelen, që ka qëndruar në qendrën e grumbullimit në  Moskë, duke mos udhëtuar me skuadrën në Sochi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA