Zamira Durda ka 10 vjet që duron e pret drejtësinë, për tragjedinë e Gërdecit në të cilën i biri ishte një nga 26 viktimat. Që prej ditës kur ndaj 29 të akuzuarve ra akuza e vrasjes, Zamira ka shtuar akuzat ndaj gjyqësorit, njëlloj si zhgënjimi që nga njëra shkallë në tjetrën erdhi duke u rritur.
“Në të gjitha shkallët, ajo klithmë erdhi dhe u forcua nuk është se u zbut. Ne përsëri na fyejnë”, thotë Zamira.
Nena e Erisonit, i cili sot do ishte 18 vjeç hedh akuza te drejtpërdrejta për gjyqtarin Shkëlzen Selimi, i cili kryesonte gjykimin për Gërdecin, por që nuk e kaloi në seancë të hapur.
Në dhomë këshillimi, gjyqtari Shkëlzen Selimi e mbylli tragjedinë e 15 marsit 2018, duke konsideruar se nuk bëhej fjalë për vrasje, por për shkatërrim prone dhe shkelje të rregullave me lëndët plasëse.
“Ai e ka dhënë në gusht kur të gjithë njerëzit ishin me pushime. Gjykata e Lartë dha vendimin që e pushoi çështjen e Gërdecit. Atje jam zhgënjyer totalisht dhe pa praninë e kamerave kam dhënë një klithmë shumë të madhe pasi nuk më jepej as vendimi, pasi e kanë marrë në një fshehtësi shumë të madhe. Duhet të na kishte dëgjuar edhe ne. Unë nuk kërkoi gjëra të paqenë, por një proces të rregullt gjyqësor. Të vendoset drejtësi për ato viktima. Çfarë faji patën?”, thotë Zamira.
Si e shpjegon Zamira mbylljen e Gërdecit në këtë mënyrë?
“Korrupsion. U paguan. Kanë marrë lekë”, thotë ajo.
Për shkak se Shkëlzen Selimi është anëtar zëvendësues për në Këshillin e Emërimeve në Drejtesi, pritet që së shpejti, ai të dalë para Vettingut. Zamira nuk do mungojë në seancën dëgjimore për Shkëlzen Selimin.
“Nuk kanë moral më të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë”, shprehet Zamira Durda.
Top Channel