Këshilli Bashkiak i Hasit shpalli ditën e sotme Gafurr Mazrrekun “Qytetar Nderi”, me motivacionin “Personalitet Intelektual, në kontributin e pashoq në Pushtetin Vendor”.
Por ky vendim u shoqërua me reagime nga këshilltarët e djathtë në Has, por më pas edhe nga vetë Kryeministri Rama, i cili në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e ka quajtur një turp propozimin e këshilltarëve të majtë, duke u shprehur se ky propozim nuk duhej të kishte ardhur asnjëherë.
Ndërkohë, zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi i pyetur sot nga mediat u shpreh se çdo akt që evokon konfliktet ekstreme dhe dhunën kriminale duhet dënuar dhe evituar në jetën publike.
“Ky vendim është një provokim i panevojshëm, në tejkalim të vlerave e moralit të shoqërisë sonë dhe perspektivës të saj të qartë europiane. Dekorimi i personave të dënuar me vendim gjykate për plagosje me armë, nuk përputhet me standardet e një shoqërie demokratike”, thuhet në reagim.
Në historinë shqiptare Gafurr Mazrreku njihet si i vetmi njeri që ka shkrehur një armë në ambientet e Parlamentit. Ishte viti 1997 kur Mazrreku, deputet i Partisë Socialiste, qëlloi në drejtim të rivalit të tij demokrat, Azem Hajdari, duke e plagosur atë.
Për këtë u dënua me 8 vjet burg, ndërsa 21 vjet më pas nderohet nga Këshilli Bashkiak i Hasit, ku votimi kundërshtohet nga këshilltarët e djathtë.
Top Channel