Rally Albania mbylli një tjetër edicion të suksesshëm plot adrenalinë, spektakël, por edhe rreziqe. 180 sportistë nga shtete të ndryshme morën pjesë në këtë kompeticion ku përshkuan 2200 km në terren të thyer. Ata përjetuan një aventurë, ndërkohë që shijuan edhe peizazhet piktoreske të vendit tone.
Nuk ishte aspak një kompeticion i lehtë dhe vështirësitë ishin të shumta. Nuk munguan as incidentet apo problemet me mjetet të pilotëve. Për fat të mirë nuk pati dëmtime serioze, por pati pasoja për garën. Është ky rasti i sllovakut Boris Vlha i cili po dominonte evenimentin në kategorinë e motorëve.
Dita e parafundit rezultoi fatale për të pasi një incident në ditën e parafundit e la atë përfundimisht jashtë gare, një situatë që u shfrytëzua nga rivalët e tij. Pas mijëra kilometrash, pilotët e këtij edicioni të Rally Albania u bashkuan në Tiranë për të festuar e sidomos për të nderuar fituesit e çdo kategorie.
Sigurisht Shqipëria e shënoi emrin në listën e fituesve të këtij edicioni me të zakonshmin Renti Sina që triumfoi në kategorinë e makinave duke lënë pas Moris Ubah dhe Drin Shkretën. Në kategorinë e makinave SSV, fitues doli Simon Pidbuf. Ndërsa në motorët “quad” triumfoi Guido Droghaag. Në renditjen e përgjithshme që bashkon kohët e kategorive motorë e “quad”, fituesi ishte Ferdinand Freidl që padyshim deshi të festojë me Boris Vlha.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve përfundoi këtu, por festa në sheshin ‘Nënë Tereza’ vijoi, ndërkohë që premtimi është për vitin 2019 për një Rally Albania akoma më të luftuar, akoma më spektakolare e akoma me më shumë adrenalinë
Top Channel