Bazilika Justiniane e Durrësit, e fshehur nga sytë e publikut

17/06/2018 15:07

E shpallur monument kulture që në vitin 1987, Bazilika e Shën Mëhillit që ndodhet vetëm pak kilometra larg qendrës së qytetit të Durrësit, nuk është pjesë e turit historiko-kulturor që zhvillojnë grupet e shumta turistike që vizitojnë e pushojnë në Durrës këtë sezon.

Pjesë e Bazilikës është edhe mozaiku i saj, një nga më të bukurit e zbuluar në Durrës, realizim i kohës së Perandorit Justiniani I. Këtë vit Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës ka ngritur një konstruksion druri për ta mbrojtur mozaikun e konservuar nga reshjet dhe kushtet atmosferike.

Barërat e këqija kanë mbuluar një pjesë të rrënojave që kanë mbetur nga Bazilika, dëshmi kjo e periudhave të hershme kristiane në vendin tonë. Rruga që të çon deri atje është e rrënuar, ndërsa tabelat treguese mungojnë.

Por Bazilika e Shën Mëhillit dhe historia që mbart është një monument që nuk duhet t’i mungojë turit turistik të Durrësit. Ajo është vetëm 10 minuta larg mbikalimit të madh të Plepave.

Për të shkuar atje duhet të ngjitesh në rrugën dytësore, që ndodhet në të djathë të të unazës Plepa-Shkozet, pranë mbikalimit të parë të këmbësorëve dhe në mungesë të tabelave duhet kërkuar ndihma e banorëve.

Top Channel