Projektet për Lurën, Rama: Shfrytëzoni financimet, ktheni shtëpitë në bujtina

16/06/2018 11:58

Edi Rama shkoi në Lurë por me ironinë tipike dibrane, banorët e zonës i treguan se nuk ishte i pari kryeministër që shkelte tokën e tyre.

“Kush ka qenë tjetër? Mehmet Shehu? Eeeee, ishalla ndryshe puna ime…”, tha Rama.

Lura është pjesë e projektit të 100 fshatrave të përzgjedhura në kuadër të projektit të Rilindjes Rurale. Infrastruktura rrugore është problemi më i madh për zhvillimin ekonomik dhe Kryeministri e premtoi.

“Është kafshata e dytë e madhe për buxhetin. Qenka e thënë që kafshatat e mëdha qenkan këtu në Dibër. Se Rruga e Arbrit është e bukur të bësh, por nuk është kafshatë e lehtë të gëlltitet. Edhe kjo gjithashtu. Por do ta bëjmë, veç mos filloni që sot në Facebook ku është rruga?”, vijoi Rama.

Rama ftoi banorët e Lurës të shfrytëzojnë financimet që ofron programi i agroturizmit dhe të kthejnë banesat në bujtina. Nga ana tjetër, Qeveria do të ndihmojë për restaurimin e shtëpive tipike.
“Fondi për shtëpitë, njësoj siç bëmë për Vunoin dhe Dhërmbiun, do evidentojmë disa shtëpi për t’i restauruar”, tha ai.

Për ta takuar, kishin dalë edhe votues demokratë, sic u vetëidentifikua disa prej tyre.

Qytetari– Në atë kohë isha më pak vetë i persekutuar, tani jam me gjysmën e Shqipërisë

Rama– Tani ke dhe Saliun të persekutuar…

Qytetari- Sa e merr Saliu pushon krejt t’jujt, sa vjen ti pushon ata t’Saliut… unë jam i persekutuar me gjysmën e Shqipërisë.

Rama- Lum ti, se ata të mitë më thonë: S’do gjë as ti se nuk pushove asnjë…

Top Channel