Qyteti i Pogradecit ka çelur sezonin turistik veror përmes një ceremonie, e cila është shoqëruar me panaire të punimeve artizanale, gatime të ndryshme dhe koncert festiv.

Qyteti mikpritës këtë vit e ka nisur stinën e ngrohtë me miq vendas e të huaj, ndërsa në ceremoninë e përvitshme kanë marrë pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Strugës, por edhe personalitete të tjerë.

Pas përshëndetjes nga kreu i bashkisë së Pogradecit Eduard Kapri, i cili ka theksuar se Pogradeci vit pas viti është duke zhvilluar turizmin, edhe kryebashkiaku i Strugës është ndalur tek shkëmbimi i potencialeve turistike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, që sipas tyre e kthen Pogradecin në qendër të vëmendjes sa i takon atraksioneve të veçanta.

Panairi i organizuar në këtë ditë festive ka sjellë disa nga elementët tradicionalë të Pogradecit, ku gratë artizane kanë ekspozuar punimet e realizuara me dorë, por edhe gatime tipike të zonës.

Qyteti liqenor mbetet një ndër mikpritësit kryesorë për turistët, të cilët zgjedhin Pogradecin për të kaluar pushimet verore.

Top Channel