Në terr për 15 vjet. “Gjurmë Shqiptare” sjell historinë e fshatit Bruçaj

16/06/2018 15:38

Ndodh që të harrosh kush ka qenë Presidenti apo kryeministri i fundit që ke parë në ekranin e shtëpisë tënde. Në realitetin shqiptar, ku ata shfaqen kudo dhe çdo ditë, në fakt kjo duket e pamundur. Por ky është realiteti në Bruçaj të Shkodrës, fshat i cili prej 15 vitesh është në terr. Historinë e tregon sonte në mbrëmje Marin Mema, në ciklin “Gjurmë Shqiptare”.

Banorët e Bruçajt kanë harruar se kush ka qenë Presidenti apo kryeministri i fundit që kanë parë në ekran në këtë fshat. Për një pjesë, ai është Aleksandër Meksi. Për të tjerë, Fatos Nano. Ajo që i bashkon të gjithë është se ora u ka mbetur rreth 15 vite më parë.

Kush mundet një herë në disa muaj që të zbresë në qytetin e Shkodrës edhe merr informacion. Të tjerët, duke patur parasysh edhe shpërndarjen e madhe që ka ky fshat, janë në terr të plotë informativ.

Në masë dërrmuese, televizori në Bruçaj nuk ekziston fare si objekt.

“Nuk kemi drita përveç Diellit dhe Hënës”, thonë banorët.

Kur bota diskuton për përparimin e frikshëm të teknologjisë apo Shqipëria promovon oferta të celularëve dhe laptopëve të fundit, kur politika është zhvendosur në rrjete e platforma “online”, asgjë nga këto nuk mbërrin në Bruçaj.

A ekziston vërtet një vend i tillë dhe si mund të jetohet kaq gjatë pa drita? “Gjurmë Shqiptare” sjell “Në terr për 15 vjet”, sonte në orën 20:10, në Top Channel.

Top Channel