Bypass-i i Fierit do të ketë përfunduar vitin e ardhshëm është shprehur ministri për Infrastrukturën dhe Energjinë, Damian Gjiknuri, teksa inspektoi dy kantiere të ARRSH-së në zonën e Fierit.

“Dua të jap edhe një lajm të mirë që sot përfundoi edhe parakualifikimi i fazës së parë të dy bypass-eve, atë të Fierit dhe atë të Vlorës. Këto ditë do të hapet tenderi për fazën përfundimtare që është dorëzimi i ofertave financiare dhe jam besimplotë që brenda këtij viti ne do të fillojmë punimet edhe në këto dy bypass-e të rëndësishme. Shpresojmë që bypass-i i Fierit vitin tjetër të jetë i përfunduar kurse bypass-i i Vlorës do të dojë më shumë kohë. Ajo çka është e rëndësishme është se edhe kësaj gangrene të infrastrukturës për shumë vite, ne i dhamë zgjidhje. Pra u prish kontrata, u siguruan të gjitha të drejtat juridike, u fillua procedura e re dhe kjo po shkon drejt përfundimit. Një procedurë kompetitive, transparente dhe e monitoruar nga BERZH-i si institucioni financues i këtij projekti”, nënvizoi Gjiknuri.

Më pas, ministri Gjiknuri ishte në Unazën Lindore të qytetit të Fierit ku ka nisur puna për rehabilitimin e plotë të segmentit nga rrethrrotullimi i Patosit deri në ish-QTU. Projekti parashikon më tej ndërhyrjen rehabilituese deri në Levan ku bëhet lidhja me autostradën Fier-Vlorë.

“Këtu siç e shikoni ka qenë një segment jashtëzakonisht problematik dhe në krye të besoj dy javëve kjo pjesë e segmentit që po punohet do të jetë tërësisht e rinovuar. Me Bashkinë e Fierit dhe me policinë jemi duke punuar që një pjesë e trafikut të devijohet brenda qytetit. Edhe njëherë u kërkojmë ndjesë qytetarëve por njëkohësisht edhe të na mirëkuptojnë. Është një periudhë shumë e shkurtër por përfitimi do të jetë shumë i madh. Korriku dhe Gushti që janë edhe muajt kulmor të sezonit do të kenë rrugë shumë më të mira dhe diferenca do të jetë e jashtëzakonshme”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Top Channel