Fiter Bajrami; Riti i faljes kryhet në të gjitha xhamitë e vendit

15/06/2018 08:58

Mijëra besimtarë mysliman në të gjithë vendin u janë drejtuar xhamive mëngjesin e sotëm për të kryer ritin e faljes së Fiter Bajramit.

SHKODËR
Me mijëra besimtarë mysliman në qytetin e Shkodrës u janë drejtuar xhamive mëngjesin e sotëm për të kryer ritin e faljes së Fiter Bajramit. Myftiu i Shkodrës Imam Muhamet Syrtari, i cili drejtonte faljen në Xhaminë e Madhe “Ebu Beker”, në fjalën e tij përcolli mesazhin e harmonisë mes njëri-tjetrit.

KORÇË
Një muaj nga dita kur besimtarët myslimanë nisën agjërimin e tyre ata kanë nisur festimet e FiterBajramit. Ritualet si çdo vit kanë nisur në orën 05:00 të mëngjesit, kur në ambientet e Xhamisë së Iljaz Bej Mirahori në Korçë qindra besimtarë janë mbledhur së bashku për të kryer faljen e Namazit dhe për të uruar simbolikisht paqe dhe dashuri mes njëri-tjetrit.

BULQIZË
Ashtu si në të gjithë vendin edhe në Bulqizë pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit qindra besimtarë kryen ritet për Faljen e Fiter Bajramit. Riti i faljes u drejtua nga Myftiu i Xhamisë së Bulqizës Sejdin Strazimiri.

FUSHE KRUJE
Edhe besimtaret myslimanë të Fushë-Krujës kanë falur namazin në stadiumin e qytetit. Besimtarë nga të gjitha grupmoshat janë lutur në këtë ditë të bekuar, ndërsa myftiu Muharrem Vrana i është drejtuar besimtareve për më shumë paqe dhe begati. Pas faljes se Bajramit u shpërndanë dhurata për të varfërit.

BERAT
Pedonalja e Beratit, ka shërbyer sot si vend falje, lutje dhe adhurimi ndaj Zotit, ku që në orët e para të mëngjesit është mbushur nga besimtarët mysliman. Një panair me gatime tradicionale që përbëjnë drekën e Bajramit u hap më pas në shesh. Gatimet u shitën për pjesëmarrësit dhe të ardhurat e tyre do të shkojnë në ndihmë të familjeve në nevojë.

Elbasan
Me qindra besimtarë kanë falur namazin edhe në Elbasan e Vlorë. Ata kanë uruar njëri-tjetrin për më shumë paqe e begati.

Vlorë
Pas faljes se namazit besimtaret i drejtohen familjeve për drekën e madhe të Bajramit.

Top Channel