Çmimi i Karrierës për Kadarenë, iu akordua nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë

15/06/2018 15:14

Në një ceremoni të ngushtë shkrimtari Ismail Kadare tërhoqi çmimin e Karrierës për vitin 2017 dhënë nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

“Kur dëgjova kaq fjalë vlerësuese, edhe unë kisha nevojë t’i dëgjoja dhe njëherë për gjuhën shqipe, për ato që i dimë, i kemi ditur e prapë kemi nevojë t’i dëgjojmë gjithmonë. Ndaj ju falenderoj nga zemra, jam i nderuar, jam i përkëdhelur nga këto fjalë, nuk do të shfaqja as megalomani, as modesti. Mendoj se arti, shkenca, sfera e mendimit është mbi këto, dhe njëherë ne të gjithë jemi anëtar të një familje të një niveli që ka nevojë çdo komb e çdo popull”.

Me këto fjalë Ismail Kadare tërhoqi çmimin e karrierës Akademike për vitin 2017, akorduar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Pjesë e çmimeve shkencore kombëtare vjetore, çmimi për Karrierën vjen në shenjë nderimi e mirënjohje për një figurë të ndritur siç është ajo e shkrimarit tonë të madh, që e ka lartësuar emrin e Shqipërisë nëpër botë me veprën e tij po aq sa nobelistja e Paqes Nënë Tereza.

Qysh prej 1970, vit kur u botua në frëngjisht Romani “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur” Kadare e ka çelur portën hijerëndë të Nobelit duke u votuar për çmimin prestigjoz po aq sa Roth apo Murakami për vite më radhë si pakkush nga gjenitë e letrave botërore.

“Figura më e rëndësishme e mendimit shqiptar, e gjuhës e letërsisë, kulturës dhe qytetërimit shqiptar. Për gjatë më shumë se 6 dekadave shkrimtari i shquar shqiptar në shkallë botërore vepër e të cilit është programuar për studime akademike dhe universitare në shumë vende të botës dhe ka provuar e rindërtuar përfytyrimin global të identitetit të imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, u shpreh prof. Myzafer Korkuti.

“Krijimtaria juaj ishte dhe mbetet buka jonë shpirtërore, e cila ushqente dhe ushqen imagjinatën, shtynte dhe shtyn, zgjeronte dhe riformatonte përmasat e munguara të lirisë individuale të çdo shqiptari. Rruga kryesore e njerëzve të drejtë është të evitojmë të keqen, thuhet në librat e shenjtë, në atë kohë dhe këtë kohë. Letërsia juaj na bëri dhe na bën të jemi njerëz normal në një vend të bekuar, po shpesh herë i mbposhtur nga e keqja”, tha akademiku prof. Vasil Tole.

Me veprën e tij universale, të një kombi të lashtë e të vogël, Kadare i shembi kufijtë gjuhësorë, politike, ideologjike dhe u ngrit mbi hapësirat kombëtare duke depërtuar e rrezatuar tek lexuesi në të katër anët e globit, duke përcjellë historinë dhe rrënjët tona, gjuhën, kulturën dhe identitetin si një Promete i mbërthyer në shkëmbin shqiptar.

I përkthyer në mbi 40 gjuhë të botës, me mbi 650 botime, përballë jehonës së jashtëzakonshme dhe realisht fitues moral i Nobelit, Kadare është Fitues i Çmimit “Man Booker Prize”, fitues i çmimit “Prince of Asturias”, i çmimit “Jeruzalem”, i çmimit “Letërsia shqipe në Kosovë”, vitin e kaluar, “Komandant i legjionit të nderit”, fitues i dhjetëra e dhjetëra çmimeve anekënd botës, anëtar i Akademisë Franceze por edhe asaj Shqiptare, Kadare u nderua pikërisht në shtëpinë e tij, Akademinë Shqiptare të Shkencave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA