Bllokohet unaza e Fierit/ Nisin punimet, trafiku për në jug devijohet nga rruga e Beratit

15/06/2018 15:18

Rikonstruksioni i një pjese të unazës perëndimore të qytetit të Fierit ka krijuar kaos në qarkullimin rrugor.

Në rreth rrotullimin ku fillojnë punimet për rikonstruksionin e rrugës nuk ka asnjë tabelë orientuese për mjetet që udhëtojnë drejt jugut të vendit.

Ndërsa tabelat ekzistuese e ç’orientojnë edhe më shumë qarkullimin e mjeteve. I vetmi që orienton drejtuesit e mjeteve është një punonjës i firmës që po kryen punimet në këtë segment rrugor, ndërsa nuk ka asnjë punonjës të policisë rrugore.

Shumë turist që duan të shkojnë në jug të vendit, drejtohen në kah të kundert duke marrë rrugën që të çon në qytetin e Beratit. Pavarësisht njoftimit të Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policisë Rrugore se që prej ditës së enjte po kryhen punime në aksin rrugor Fier-Levan, devijimi i trafikut ka krijuar probleme për drejtuesit e mjeteve.

Qarkullimi pritet të rëndohet edhe më shumë pasi sezoni sapo ka filluar, ndërkohë që nuk ka asnjë njoftim për datën e përfundimit të punimeve.

Top Channel