Vëllezërit Dule në Bilisht janë në një konflikt të hapur me njëri-tjetrin për shkak të një prone, shtëpi banimi, si pasojë e projekteve të dështuara për modernizimin e zyrave të regjistrimit.
Në vitin 1993, me Vendim të Këshillit të Ministrave u krijua Njësia e Menaxhimit të Projektit për Sistemimin dhe Regjistrimin e Pronave dhe transferimin e tyre tek ZRPP-ja. Në vitin 2006, po me Vendim të Këshillit të Ministrave, kjo njësi u shkri.
Nga viti 2007 deri në 2015, nga investime të huaja dhe buxheti i shtetit janë shpenzuar 60 milionë dollarë dhe 18 milionë euro në projekte për menaxhimin dhe sistemimin e zyrave të regjistrimit. Por sërish jemi në vendnumëro. Sipas Artan Lames, sistemi hipotekor në Republikën e Shqipërisë është katastrofë, për ta sistemuar duhet një projekt i ri.
Por si ka funksionuar ky projekt dhe sa i saktë ka qenë ai, të paktën në Bilisht?
Sipas juristit të ZRP-së Bilisht ky projekt është zbatuar në këtë zyrë nga viti 1996-2002 dhe sipas tij, 90% e kartelave të pasurive janë me gabime. Për të gjitha pronat private, përjashtuar pallatet, janë hapur kartela të reja pasurie dhe janë shënuar “pasuri shtet”, pavarësisht se kishin një historik të mëparshëm. Gjithçka u zerua. Qytetarët duhet të plotësonin dokumentet nga e para për tu bërë pronarë.
Pikërisht kjo amulli solli edhe konflikte mes familjeve dhe pronarëve të ligjshëm. Fiksi ndoqi rastin e një banori të qytetit të Bilishtit, Myfit Dulo. Prej vitesh ai është në konflikt me të vëllanë për një shtëpi banimi të blerë sipas dokumentave nga ai vetë, në vitin 1962. Mosregjistrimi në kohë dhe çelja e kartelave në gjendjen juridike shtet, ka çuar në dyert e gjykatave dy vëllezër të cilët pretendojnë pronësinë mbi pronën, shtëpi banimi.
Sipas Myfit Dulos, në Zyrën e Regjistrimit Korçë, ai është pronar i shtëpisë që nga viti 1962. Ai disponon vërtetim pronësie, certifikatë pronësie dhe të gjithë dokumentacionin dhe shit-blerjen e kësaj shtëpie nga ai vetë. Fiksi e verifikoi këtë pretendim pranë Zyrës së Regjistrimit Korçë. Sipas regjistrave hipotekorë, të mbajtura nga kjo zyrë në kohën kur Bilishti nuk kishte hipotekë, Myfit Dulo rezultoi të kishte të drejtë.
Por, pas verifikimeve të bëra nga gazetarët e “Fiks Fare” në Bilisht, pronar i kësaj shtëpie ka qenë gjithmonë i vëllai, Liri Dulo. Ai pasi e ka regjistruar me vendim gjykate, vërtetim fakti të vitit 1996, ka bërë kontratë dhurimi tek i biri, e më pas ky i fundit ia ka shitur një tjetri. Blerësi, me vendim gjykate të formës së prerë është bërë edhe pronar i kësaj prone dhe është pajisur me certifikatë pronësie.
Myfit Dulo thotë për “Fiks Fare” se gjithë kjo situatë ka ardhur si pasojë e mirëbesimit që ai ka patur tek i vëllai dhe nga manipulimi që i janë bërë provave, si edhe papërgjegjshmëria e avokatëve. Kur ai ka bërë kërkesë në zyrën e Bilishtit në 2011 për regjistrimin e kësaj prone, është vënë në dijeni që shtëpia e banimit ish regjistruar nga i vëllai dhe dokumentet e dorëzuara prej tij nuk gjendeshin në dosje.
Myfit Dulo “zhduket” nga gjendja civile
Myfit Dulo pretendon se është i pari nga familja e tij që është shpërngulur në Bilisht që në vitin 1961, por sipas arkivit të Gjendjes Civile në Bilisht dhe certifikatave të lëshuara prej saj, Myfit Dulo rezulton në regjistrin themeltar të Rakickës të vitit 1950, por jo në atë të Bilishtit, të po të njëjtit vit. Ndryshe nga pjesa tjetër e familjes.
Fiksi intervistoi punonjësen e zyrës së arkivës e cila na shpjegon se e gjithë familja Dule në bazë të regjistrit është shpërngulur në Bilisht nga fshati Rakickë në vitin 1962. Në certifikatën e shpërnguljes emri i Myfit Dulos ndodhet pas të vëllait. Por në certifikatën e regjistrimit të Bilisht ai nuk ndodhet. Sipas punonjëses së zyrës ai del në regjistër i regjistruar në lagjen “Ylli i Kuq” bashkë me gruan e fëmijët vetëm në vitin 1966. Faktin se si u zhduk dhe ku ishte i regjistruar Myfit Dulo për katër vite punonjësja nuk arrin ta shpjegoj dot.
Fiks Fare kontaktoi edhe me një specialiste dhe juristin e Zyrës së Regjistrimit Bilisht. Gjatë bisedës ata pranojnë që tek regjistrat e tyre Myfit Dulo, për këtë pronë nuk ka qenë asnjëherë pronar. Për pronar ata njohin të vëllain. I cili më pas e ka shitur këtë pronë dhe sot e gëzon një tjetër qytetar i Bilishtit. Gjatë bisedës juristi tregon se kjo pronë tek ata para vitit 2016 kur është bërë edhe regjistrimi ka qenë shtet. Sipas tij 90% e këtyre kartelave janë me gabime. I mbetej qytetarëve apo zyrës që të plotësonin dokumentacionin apo vendimet lëmsh te gjykatave siç shprehet edhe specialistja.
Top Channel