Fotografi francez që është në qendër të skandalit, që bëri që çmimi Nobel për letërsinë, i këtij viti, të shtyhej, është akuzuar për përdhunim.
Jean-Claude Arnault, që akuzohet për dy përdhunime që datojnë që në 2011-ën, mohon akuzat. Akademia suedeze që akordon çmimin, muajin e shkuar e shtyu atë mes kritikave për mënyrën se si e kish menaxhuar rastin.
Prokurorja suedeze Christina Voigt tha se provat kundër Arnault ishin të mjaftueshme për ta akuzuar atë formalisht. Fotografi i mirënjohur në Suedi, është i martuar me një ish anëtare të Akademisë Suedeze qindra-vjeçare.
“Ai pretendon se është tërësisht i pafajshëm”, tha avokati i Arnault. Dy akuzat për përdhunim kanë të bëjnë me të njëjtën grua, që nuk është identifikuar.
Në fund të 2017, rreth 18 gra akuzuan Arnault për ngacmim seksual dhe agresion, në një të përditshme suedeze, çka edhe inicioi hetimin e prokurorëve të shtetit. Arnault, i ka mohuar të gjitha incidentet e supozuara, shumica e të cilëve thuhet se kanë ndodhur në prona të akademisë ose klubit të saj letrar.
Arnault ndërkohë është akuzuar edhe për ngacmimin e trashëgimtares së fronit suedez, princeshës së kurorës Viktoria, gjatë një darke formale në 2006, çka sërish ai e mohon.
Top Channel