Pas teknologjisë dhe shit-blerjes së votës, përdorimi i burimeve shtetërore në fushatën elektorale ishte çështja e tretë thelbësore për të cilën anëtarë të Komisionit të Reformës Zgjedhore morën mendime dhe përvoja nga ekspertët ndërkombëtarë.

Një prej tyre nga Këshilli i Europës. Elena Panfilova tha se problematika e ushtrimit të pushtetit për të siguruar një pozicion të favorshëm në zgjedhje prek fondet shteterore, infrastrukturën, madje dhe median. Është çeshtje e demokracisë dhe kapjes së shtetit, sipas saj.

“Unë kam pasur një rast kur Ministri i Brendshëm i një vendi ishte figura drejtuese në fushatën e një partie. Ai shkoi në Universitetin e Policisë në vendin e tij, premtoi rritje pagash prej 20% dhe kjo u transmetua në televizione. Pra kemi median, institucionet, burimet financiare; 3 në 1”, deklaroi ekspertja e Këshillit të Europës.

Magnus Ohman, këshilltar i lartë i politikave Financiare pranë IFES tha se presioni mbi administratën ndeshet veçanërisht në vende, ku sektori publik ka ende një peshë të fortë në punësime.

“Ka nevojë për përpjekje të qarta nga autoritetet për të parandaluar presionin mbi punonjësit e administratës publike. Zgjidhjet ligjore nuk janë të mjaftueshme për t’i dhënë drejtim çështjes. Mund të jetë një ide e mirë vendosja e sanksioneve specifike për çdo fushë dhe sipas kontekstit lokal”, u shpreh Ohman.

Socialisti Bledi Çuçi solli si përpjekje pozitive për të shmangur keqpërdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje eksperiencën e vitit që shkoi, kur opozita pati ministrat e saj teknikë në Qeveri. Por sërish përdorimi i burimeve shtetërore në fushatë ishte rekomandim i 12 në Vendoret e 2015-ës dhe kaloi në prioritet të 3-të për t’u zgjidhur pas parlamentareve të 2017-ës, siç solli në vëmendje bashkëkryetari demokrat Oerd Bylykbashi.

Pas takimeve të punës ekspertët pranë Komisionit të reformës zgjedhore do të angazhohen në hartimin e legjislacionit në mënyrë që në shtator të jetë gati për diskutim në Komisionin e Posaçëm parlamentar.

Top Channel