Gjermania mbetet ende në listën e atyre vendeve që nuk kanë vendosur nëse do të japin dritën jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, apo jo, por një sinjal e dha ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.

“Disa shtete kanë bërë përparim të mirë, të tilla si ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, ku kanë luftuar për të gjetur një zgjidhje për çështjen e emrit në ditët e fundit. Por, edhe Shqipëria, përmes një reforme gjyqësore shembullore. Prandaj unë jam shprehimisht në favor të hapjes me kusht të negociatave të pranimit me këto dy vende”, deklaroi ai.

Kryediplomati gjerman nuk përmend se cili, apo cilët do të jenë këto kushte, por në disa media ka qarkulluar lajmi se mund të çelen negociatat, por bisedimet për kapituj konkretë do të fillojnë vetëm kur të vihet re progresi në prioritet e vendosura nga Brukseli.

Maas foli këtë të mërkurë në forumin e organizuar nga Fondacioni gjerman “Schwazkopf”, në bashkëpunim me fondacionin “Pulse of Europe”, ku kryefjalë ishte “Kurajo për një Europë të bashkuar”.

Ai përmendi në fjalën e tij edhe rrezikun që i kanoset rajonit nga fuqi të treta nëse BE ngurron që të qartësojë të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor.

“Nëse BE-ja dështon për të patur progres në procesin e anëtarësimit me këto vende, ajo do të ketë pasoja fatale. Tashmë janë fuqitë e tjera që nxiten në këtë boshllëk: Rusia, Kina, vendet e Lindjes së Mesme, të cilat kanë ide krejtësisht të ndryshme të rendit dhe stabilitetit krahasuar me europianët”, deklaroi kryediplomati gjerman.

Top Channel