Rally Albania po mbyll këtë të martë etapën e dytë të këtij edicioni, që ka zhvendosur dhjetëra prej pilotëve drejt Ersekës.
Garuesit e fundit në limitin e kohës së rregullt do të zbarkojnë në orët e para të së mërkurës në juglindjen e vendit, pas nisjes së herët nga Dibra, ku nuk kanë munguar surprizat.
Mbrëmja e së hënës kurorëzoi fitues të etapës te makinat Jan Vanbek, ndërsa kompletoi podiumin Piedbëf dhe Uillkin. Për herë të parë pas kaq sezonesh, asnjë shqiptar nuk ishte mes 3 vendeve të para. Ndërkohë, në etapën e kësaj të marte të gjatë 330 kilometra, Drini Shkreta regjistroi kohën më të shpejtë. Ai mundi të lërë pas kampionin në fuqi Renti Sina, me vetëm 2 minuta e 26 sekonda më shpejt në finish. I treti doli Moris Ubahs.
Në kategorinë e motorëve, sllovaku Boris Vllha vazhdon të ruajë kryesimin e përgjithshëm. Me motorin e tij Huskvarna ia doli të lërë pas pilotin më fitues të Rally Albania që prej krijimit, italianin Andrea Kozentino.
Ashtu si në ndalesat e para, makinat SSV ishin shumë të shpejta edhe në etapën e dytë. Ekipi i parë që mbërriti në finish ishte vetëm 10 minuta më i ngadaltë se fituesi te motorët. Pasi të përfundojë e gjithë gara dhe të llogariten penalitetet, komisarët do të certifikojnë edhe rezultatet dhe renditjen e përgjithshme.
Top Channel