Shumë intelektualë polakë kërkojnë që reformimi i sistemit të drejtësisë të shqyrtohet nga Gjykata Evropiane: Me apelin dramatik që i drejtojnë Brukselit, ata bëjnë përpjekje të shpëtojnë demokracinë në Poloni.

Leh Valesa, legjenda e rezistencës antikomuniste në Poloni, përzihet në politikë kur bëhet fjalë për gjëra të rëndësishme. Kësaj here ai ka vërtet arsye të madhe – të pengojë reformën e sistemit të drejtësisë. 75-vjeçari që jeton në Gdansk, është i indinjuar me njerëzit e vendit të tij, që megjithë kritikat që vijnë nga Brukseli dhe prostestat e zhvilluara në vend vazhdojnë të venë në jetë hap pas hapi reformën e sistemit të drejtësisë të partisë konservatore në pushtet, PiS, që përkthehet “Ligji dhe drejtësia”.

Nuk ka liri pa shtet të së drejtës
Ai “është shumë i shqetësuar për krizën që kanë shkaktuar ndryshimet e mëdha në drejtësinë polake”. Kjo është shkruar në një deklaratë, që ai e publikoi javën e kaluar. Njëkohësisht ai i drejton një apel Brukselit: „Unë i lutem Gjykatës së BE-së, të rishikojë ndryshimet më të mëdha në sistemin e drejtësisë”.

Ai i kërkon Komisionit Evropian që t`i drejtohet Gjykatës Evropiane. Ish-udhëheqësi i Solidarnostit, përdor për këtë një parullë nga vitet 1980-të: “Nuk ka liri pa solidaritet”. Sot, nuk ka liri pa shtet të së drejtës, paralajmëron ish-luftëtari antikomunist.

Shteti i së drejtës në rrezik
Ish-presidenti përkrah shprehimisht procesin juridik kundër qeverisë, proces që zhvillohet kundër Polonisë që prej dhjetorit 2017, sipas nenit 7 të Paktit Themelor të Lizbonës. Komisioni Evropian, njëjtë si Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës, kritikon nenet që i japin kompetenca ministrit të drejtësisë të emërojë dhe shkarkojë gjykatësit.

Ky është politizim i drejtësisë dhe çekuilibrim i ndarjes së pushteteve, thonë ata duke kritikuar planet e reformës. Që prej vitit 2016 janë futur në zbatim shumë pika të reformës së drejtësisë, dhe në këtë mënyrë jshumë institucione janë vënë nën drejtimin e idhtarëve të partisë PiS, mes zyre Gjykata Kushtetuese dhe Këshilli i Drejtësisë.

Më 3 korrik duhet të pasojë hapi tjetër i refomës. Kështu do hyjë në fuqi një ligj, sipas të cilit gjykatësit e Gjykatës së Lartë mund të nxirren para kohe në pension. Praktikisht kjo do të thotë që shumica e gjykatësve, mes të cilëve edhe Presidentja e Gjykatës së Lartë, duhet të dalin në pension. Opozita druhet se në këtë mënyrë do vendoset nën kontrollin e qeverisë edhe gjykata e vetme që ka mbetur e pavarur.

Shpëtim nga Evropa
Apelit dramatik të Leh Valesës në Bruksel i janë bashkangjitur qindra OJQ polake, intelektualë dhe shkencëtarë. Me apelin e tyre ata kërkojnë “Evropë, mbro Gjykatën e Lartë “.

“Ne jemi në Evropë, sepse këtu sundojnë liri ekonomike dhe qytetare. Ne shpresojmë, që Komisioni Evropian të na ndihmojë të mbrohemi,” thotë regjizorja Agnieszka Holland, një nga nënshkrueset e apelit. Edhe personalitete të tjera publike polake kanë nënshkruar apelin, si shkrimtarja Olga Tokarczuk ose regjizorja Malgorzata Szumowska.

“Ne i lutemi qytetarëve të Evropës, t’i bashkangjiten protestës sonë. Sot ne kemi shansin të ndalojmë shkatërrimin e demokracisë “, thotë Pawel Kasprzak, kryetar i një prej nismave më të mëdha opozicionale në Poloni,”Obywatele RP”. Nënshkrimet e personave privatë do vazhdojnë të mblidhen. Brenda tri ditëve u mblodhën 12 mijë nënshkrime.

Shpresa është tek BE-ja
Nënshkruesit i referohen vendimit të Gjykatës së BE-së të prillit 2018, i cili ndalon shpyllëzimin e pyjeve të Bialowieza-s në verilindje të Polonisë. Vendimi për shpyllëzimin masiv të pemëve të vjetra, filluar nga qeveria e PiS, u dërgua nga Komisioni Evropian për t`u rishikuar në Gjykatë. Pas marrjes së vendimit në Luksemburg, qeveria u detyrua ta ndalonte shpyllëzimin. Prandaj shumë polakë shpresojnë tani që me reformën e drejtësisë mund të ndodhë kjo.

Nëse Komisioni do t’i drejtohet Gjykatës së Luksemburgut pritet të shihet. Sidoqoftë Komisioni kërkon të marrë masa ligjore kundër Polonisë. Ata duan të thërrasin për shpjegime në Këshillin e BE-së, qeverinë e Polonisë. Propozimet për përmirësimin e reformës së drejtësisë, që prezantoi muajt e fundit Varshava, u panë që nuk ishin të mjaftueshme. Ditën e mërkurë tema do debatohet në Parlamentin e BE-së./ DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA