Qeverisë së Sorin Grindeanut iu deshën pak më shumë se 20 ditë pas betimit që të vihej përballë qytetarëve rumunë dhe protestave masive.
Kabineti i betuar më 4 janar të 2017 kaloi në fshehtësi një vendim për të ndryshuar kodin penal dhe atë të procedurës penale, që kundërshtarët e cilësuan si përpjekje për të shpëtuar nga dënimi me burg zyrtarët e akuzuar dhe të dënuar për korrupsion.
Grindeanu vetë mohoi se ishin kryer ndryshime të tilla në fshehtësi, por protesta u masivizua. Vetëm pak orë pasi u përhap lajmi se Qeveria kishte miratuar propozimet e ministrit të Drejtësisë, 25 mijë rumunë u derdhën në rrugët e qytetit.
Protesta do të cekte kulmin e vet më 5 shkurt të 2017, kur më shumë se gjysmëmilionë qytetarë u mblodhën për të shprehur vendosmërinë e tyre në mënyrë paqësore kundër vendimit të Qeverisë. Kryeministri dhe anëtarët e mazhorancës rumune në atë kohë vazhduan të mohojnë ekzistencën e ndryshimeve të tilla, por pak javë më vonë u detyruan që ta pranojnë dhe të kalojnë në Parlament për rishikim procedurën e ndjekur.
Propozimi u kundërshtua edhe nga i gjithë sistemi i drejtësisë në Rumani, ndërkohë që protesta vazhdonin. Në fund, ekzekutivi dorëzohet dhe ministri i Drejtësisë dha dorëheqjen. Në qershor, brenda Partisë Socialdemokrate rumune pati një lëvizje kundër kabinetit të Grindeanut dhe ai u zëvendësua.
Por, edhe kabineti i ri nuk e fshehu ambicien për të ndërhyrë tek ligjet penale dhe të procedurës penale, pasi akuzonte prokurorët dhe gjyqtarët se kishin pushtet të pakufizuar dhe abuziv. Në krah të Qeverisë doli një numër protestuesish, më të paktë në numër se ata që e kundërshtonin atë.
Protestat dhe antiprotestat vazhduan për muaj me radhë, megjithëse intensiteti i tyre, nisi të bjerë ngadalë. Por, më 9 qershor tubuesit u rikthyen sërish nëpër sheshe. Të paktën 50 mijë persona dolën ditën e shtunë në protestë pas thirrjes së bërë nga partitë në pushtet. Kërkesa e tyre është ndryshimi i disa ligjeve, që sipas Qeverisë, u japin pushtet abuziv prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Qeveria akuzon prokurorët për abuzim me pushtetin që u jep ligj antikorrupsion dhe antimafia, duke vënë në mënyrë të jashtëligjshme nën përgjim politikanët e vendit. Eksponentë të lartë të Qeverisë thonë se mes bisedave të përgjuara ka edhe biseda krejtësisht personale, që nëse bien në duart e gabuara mund të përdoren nga prokurorët si material shantazhues ndaj politikanëve vendas.
“Erdha këtu që të mbështes një sistem drejtësie vërtet të drejtë”, tha për Euroneës një protestues.
Prokuroria Antikorrupsion ka hetuar rreth 700 zyrtarë vetëm përgjatë vitit 2017, mes të cilëve edhe një senator. Kritikët e protestës thonë se synimi është intimidimi i sistemit të drejtësisë.
“Është i çuditshëm organizimi i një proteste nga ana e partive që janë në pushtet kundër një pushteti tjetër, të pavarur dhe akoma më i çuditshëm është fakti që kjo protestë është thirrur me argumente në kufijtë e teorive konspirative”, thotë Andrei Taranu, profesor i Shkencave Politike në Rumani.
Top Channel