Presidenti amerikan Donald Trump ka tërhequr firmën e tij nga deklarata e përbashkët e lëshuar në fundin e samitit të G7-s, duke akuzuar Kanadanë për pandershmëri. Sipas tij, vendet e tjera po vendosnin tarifa masive ndaj Shteteve të Bashkuara.
Komunikata e përbashkët, e cila bënte thirrje për një sistem tregtie të bazuar në rregulla, u nënshkrua nga të gjithë pjesëmarrësit, pavarësisht tensioneve mbi tarifat amerikane ndaj importeve të çelikut dhe aluminit.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau u zotua më tej se do të nxiste ndërmarrjen e tarifave hakmarrëse duke nisur nga 1 korriku. Duke folur në një konferencë për shtyp, ai e përshkroi si ofendues vendimin e Trumpit për të ndërlidhur shqetësimet mbi sigurinë kombëtare si justifikim ndaj tarifave që ka vendosur ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Bashkimit Europian.
“Me keqardhje të madhe, por njëkohësisht me qartësinë absolute e vendosmëri, ne do të ecim përpara duke vendosur masa hakmarrëse nga 1 korriku, – deklaroi Trudeau. – Kanadezët janë të sjellshëm dhe të arsyeshëm, por nuk do të merren aspak nëpërkëmbë”.
Fjalët e tij sigurisht nuk përmbajnë asgjë të pathënë më herët, qoftë në publik, qoftë në bisedat private me Trumpin, shpjegoi më vonë zyra e kryeministrit kanadez.
Ndërkohë, Bashkimi Europian njoftoi se do t’i qëndronte deklaratës së përbashkët, pavarësisht vendimit të Trumpit.
“Ne do t’iu qëndrojmë zotimeve të bëra në deklaratën e G7-s”, tha një burim qeveritar britanik.
Rrugës për në samitin e tij të ardhshëm në Singapor, presidenti amerikan përdori sërish “Twitter”-in për të thënë se kishte udhëzuar zyrtarët amerikanë “të mos miratonin deklaratën e përbashkët, ndërsa po shqyrtojmë tarifat e reja mbi automjetet”.
Sipas tij, lëvizja ishte e detyrueshme duke parë deklaratat false gjatë konferencës për shtyp të Trudeau, si dhe faktin që Kanadaja po ngarkon me tarifa shumë të mëdha fermerët, punonjësit dhe kompanitë amerikane. Trump sulmoi më pas kryeministrin kanadez duke e quajtur “tepër të pandershëm dhe të dobët”.
Trump e kishte nënshkruar më herët deklaratën e përbashkët të rakorduar mes 7 vendeve më të industrializuara të botës, pavarësisht mosmarrëveshjeve mbi tregtinë.
Samiti i G7-s, i zhvilluar në La Malbaie të provincës së Quebecut, diskutoi edhe çështje të tjera si marrëdhëniet me Rusinë. Në deklaratën e përbashkët, grupi i përbërë nga Kanadaja, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Italia, Japonia dhe Gjermania ranë dakord për nevojën e “një tregtie të lirë, të drejtë dhe me përfitime të ndërsjella”, si dhe për rëndësinë që ka lufta e proteksionizmit.
Top Channel