Shënimi i 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë ka nisur me vënien e gur-themelit të kompozicionit të shtatoreve të udhëheqësve të qeverisë së saj, në ceremoni morën pjesë krerë të shtetit Shqiptar, Kosovës e Maqedonisë.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili gjatë fjalë së tij përshëndetëse vlerësoi se 140 vite më pas shqiptarët janë në dilemë se nga do të orientojnë jetën e tyre politike, sociale e kulturore.

“E përgjigja, e ndryshme për nga konteksti historik, por e njëjtë për nga vendosmëria e orientimi drejt të ardhmes është vetëm një: thellimi i demokracisë e i perspektivës tonë të përbashkët europiane, fuqizimi i shtetit të së drejtës, forcimi i indit përbashkues europian të identitetit tonë, janë jo vetëm angazhimi ynë, por edhe besa që duhet të lidhim mes vedi”, theksoi Bushati.

Pjesë nga fjala e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati
I madhi mësues Aleks Buda na kujton se në jetën e popujve, përgjatë rrjedhës së viteve e shekujve, ka ngjarje që vendosen para pyetjes: Nga duhet të shkojmë?

“Kësaj pyetjeje në një udhëkryq të madh të historisë, populli shqiptar i dha një përgjigje me themelimin e Lidhjes Shqiptare në Prizren me 10 qershor 1878, kur përfaqësuesit e kombit shpallën vendosmerinë e patundur për të luftuar për të drejtat kombëtare dhe i vunë themelet asaj organizate politike, e cila për tre vite me radhë udhëhoqi luftën e masave popullore për çlirim nga zgjedha shekullore e huaj, për mbrojtjen e trojeve të veta për bashkimin në një shtet të vetëm autonom e të njësuar kombëtar” shkruan ai.

Sot, në 140 vjetorin e themelimit të Lidhjes së Prizrenit, shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, e në të gjithë rajonin gjenden sërish para dilemës së madhe se nga do të orientojnë jetën e tyre politike, sociale e kulturore. E përgjigja, e ndryshme për nga konteksti historik, por e njëjtë për nga vendosmëria e orientimi drejt të ardhmes është vetëm një: thellimi i demokracisë e i perspektivës tonë të përbashkët europiane, fuqizimi i shtetit të së drejtës, forcimi i indit përbashkues europian të identitetit tonë, janë jo vetëm angazhimi ynë, por edhe besa që duhet të lidhim mes vedi.

Top Channel