Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka hedhur poshtë njoftimet se ai nuk është i përgatitur për takimin e nivelit të lartë që do të zhvillojë javën e ardhshme me udhëheqësin e Phenianitt Kim Jong Un. Ai u tha gazetarëve të premten se: “jam përgatitur për këtë gjë, gjatë gjithë jetës time”.
Para largimit nga Uashingtoni për në Kebek, për të marrë pjesë në takimin e Grupit të Shtatëshes, presidenti tha se po merrte me vetë “15 kuti me dokumenta pune” për t’i riparë përpara takimit të tij me Kim Jong Un-in, në Singapor më 12 qershor.
Diskutimet lidhur me përgatitjen e tij për takimin, u nxitën nga vetë presidenti të enjten. Ai u tha gazetarëve se edhe pse besonte se ishte përgatitur mirë për bisedimet: “nuk mendonte se duhej të përgatitej shumë, pasi siç tha zoti Trump: “kjo çështje lidhet me qëndrimin, apo gatishmërinë për t’i bërë gjërat”.
Administrata Trump kërkon çarmatimin e plotë bërthamor të gadishullit Korean. Në këmbim besohet se Pheniani ka kërkuar lehtësimin nga sanksionet ndërkombëtare.
Top Channel