Ai ka luajtur për kombëtaren e Jugosllavisë, ka luajtur edhe me Partizanin e Beogradit, por në zemrën dhe mendjen e tij kanë qenë gjithnjë, Podujeva, Prishtina, Kosova. Fjalët e mira për të janë thënë në të gjallë, por sot që ai ka mbyllur sytë për të mos i hapur më, ato burojnë dhe amplifikohen në mënyrë të pashtershme, duke ja lartësuar edhe më shumë figurën.

Futbolli ka humbur një prej korifenjve të tij, shqiptarët nuk do të kenë më mes tyre Maradonën e Ballkanit, familja ka humbur njeriun e dashur, ndërsa futbolli i Kosovës ka humbur themeluesin. Falë këmbëve të tij të fuqishme ai shkundi portat me golat e tij, dribloi dhe trullosi qindra mbrojtës nga e gjithë bota, duke u bërë një idhull i padiskutueshëm i futbollit të shqiptarisë dhe më gjerë. Ishin po ato këmbë që e tradhtuan në vitet e fundit të jetës, teksa kishte nisur misionin më të rëndësishëm dhe të jashtëzakonshëm të jetës së tij, për ta bërë Kosovën shtet të lirë e të pavarur, nisur pikërisht nga futbolli. Fadil Vokrri nuk është më dhe trishtimi në këtë moment na e çan zemrën.

Historia ka qenë e pamëshirshme me shqiptarët, por gjithnjë ata kanë ditur t’ja dalin dhe të realizojnë detyrime të mëdha për vendin. I tillë ishte edhe rrugëtimi jetësor i Fadil Vokrrit, atij djali me atë fizikun e hekurt dhe sytë që i shndrinin nga vetëbesimi nën vetullat e trasha. Duhet ta pranojmë që parë nga këtej kufirit, shqiptarët nuk e kanë dashur shumë Fadil Vokrrin. Jo për talentin e tij, sepse ai ka qenë i padiskutueshëm, por për faktin se ai veshi fanelën e kombëtares së ish-Jugosllavisë. Ky nuk ishte një krim. Ishte një zgjedhje profesionale e paevitueshme, të cilën kosovarëve ja detyroi historia. Fadil Vokrri luajti vetëm futboll dhe luajti aq bukur sa e admiroi e gjithë bota. Bëri krenarë gjithë Kosovën, që aq shumë e admironte, kur niste rrufeshëm driblimet e topin, kur ngrihej me kokë apo kur gjuante aq fuqishëm nga jashtë zonës. Luajti bukur edhe kur fati e shortoi përballë shqiptarëve në mbrëmjen e 9 shtatorit 1987, madje duke zhytur mirë kokën për golin e dytë në fitoren që Partizani Beogradit arrinte me Flamurtarin (ndërsa më parë kishte fituar penalltinë e 1-0, edhe pse në fund u kualifikua Flamurtari që fitoi ndeshjen e parë 2-0).

Djaloshi i Podujevës ishte në kulmin e karrierës së tij në atë kohë dhe pasi fitoi një thirrje në ekipin kombëtar, bindi drejtuesit e Partizanit të Beogradit të investonin për të. U bë një yll në këtë skuadër, e shumë prej klubeve të njohura të Evropës e vunë në radhët e tyre. Vera e vitit ’90 e gjeti në Turqi, te verdheblutë e Fenerbahce, e ai nuk rreshti së shënuari gola e duke korrur suksese të rëndësishme. Shpërbërja e ish-Jugosllavisë në vitin 1992 e pa të shëtiste në disa klube në Francë, ku edhe mbylli karrierën e tij si futbollist, edhe pse asnjëherë nuk pati fatin të luante në nivelet më të larta.

Erërat ndryshuan për mirë pas vitit 1999. Kosova shkonte drejt Pavarësisë së saj, ndërsa në mendjen e ish-bomberit të madh ishte një mision që ai nuk arriti ta bënte me këmbët e tij, ishte misioni për të shënuar golin më të rëndësishëm të jetës. Të ngjallte futbollin e Kosovës, atë futboll të rritur mes pasionit e baltës, mes dëshirës dhe pamundësisë për të shkuar lart, mes luftës dhe triumfit. Mbështetur nga miq e shokë, shqiptarë e kosovarë, ish-futbollistë e dashamirës të sportit, ai nisi të lëvizë një makineri të re, por shumë të rëndë. Fadil Vokrri u vu në ballë të një misioni të pamundur për kohën, për të bërë të njohur futbollin kosovar në botë, e për ta anëtarësuar atë në dy organizmat më të rëndësishëm të futbollit, FIFA dhe UEFA. Dhe ai i bindi të gjithë, me atë urtësinë dhe mençurinë e tij. I tregoi një të vërtetë të pamohueshme të gjithë botës, se Kosova është e lirë, Kosova ka shtetin e saj, Kosova ka futbollin e saj, e të gjithë duhet ta respektojnë.

Fjalimi i tij emocionues në kongresin e FIFA-s më 13 maj të 2016, i përloti të gjithë shqiptarët anembanë botës: “Votimi i sotëm do të ndikojë edhe në pajtimin me fqinjët tanë. E kemi pritur një kohë të gjatë këtë vendim dhe jemi shumë të lumtur. Pranimi i FFK-së në FIFA, është krejtësisht legjitim. Ju premtoj se ne do t’i mbrojmë vlerat e futbollit”. Misioni u përmbush, Vokrri e shënoi edhe një tjetër gol, më të bukurin, më të rëndësishmin për karrierën e tij, Kosovën.

Fadili i urtë, Fadili i mençur, Fadili fjalëpak iku për të mos u kthyer më. Iku në heshtje, edhe pse në të gjithë rrugëtimin e tij jetësor bëri një zhurmë të madhe lavdie, fitoreje, triumfi. Ai ishte njeriu që bëri të pamundurën, të mundur, ai ishte njeriu që realizoi ëndrra të bukura, ai ishte lideri shpirtëror i të gjithë kosovarëve, ai është frymëzimi i shumë brezave.

Zemra e tij ndali sot. Nuk ndali se ishte e dobët, por se ishte e mbushur me shumë dashuri, me shumë urtësi, me shumë mirësi dhe në të kanë vend të gjithë.

Legjendat nuk vdesin, ato përjetësohen në mendjen dhe zemrën e të gjithëve. Fadil Vokrri ishte një yll që sot ka shkuar të ndriçojë edhe më shumë. Lamtumirë kampion, lamtumirë legjendë!

Koment nga Elert Yzeiri

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA