Udhëheqësit e vendeve të G7-s janë mbledhur në Kanada, për atë që mund të jetë një nga samitet më të ashpra ndër vite. Në prag të takimit, krerët francezë dhe kanadezë u përplasën me presidentin amerikan, Donald Trump, mbi temën më kryesore të axhendës së samitit, tarifat tregtare.
Trump, i cili pritet të jetë i fundit që do të shkojë dhe i pari që do të largohet nga Kanadaja, ka vendosur tarifa ndaj importeve të çelikut dhe aluminit, të cilat shkaktuan tensione dhe kundërmasa nga partnerët tregtarë të Amerikës.
Por, vendet më të industrializuara të botës do të përplasen edhe mbi marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe atë të Parisit mbi ndryshimet klimatike.
Samiti i G7-s, që mbledh udhëheqësit e Kanadasë, Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Italisë, Japonisë dhe Gjermanisë nis këtë të premte në La Malbaie të Quebecut.
“Lufta” para samitit nisi kryesisht mes Francës e Kanadasë kundër Donald Trumpit. Edhe pse në shumicën e përmbajtjes dukej si dashamirësi mes presidentit amerikan dhe homologut të tij francez, Emmanuel Macron, ky i fundit kritikoi ashpër.
Përmes “Twitter”-it, Macron tha se nëse Trump dëshiron të mbetet i izoluar, atëherë 6 kombet e tjera do të nënshkruanin marrëveshjen mes tyre, në rast nevoje, “sepse këto 6 vende përfaqësojnë vlerat, një treg të përbashkët me peshën e historisë mbi shpatulla, e që tashmë përbën realisht një forcë të vërtetë ndërkombëtare”.
Organizatori dhe mikpritësi Justin Trudeau flirtoi gjithashtu me qasjen e afërt të Macronit ndaj Trumpit, por është shfaqur shumë më tepër konfrontues së fundi, veçanërisht duke ndalur bisedimet mbi Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA). Ai i përshkroi si “qesharake” citimet e Trumpit mbi rreziqet ndaj sigurisë kombëtare, teksa i doli në mbrojtje tarifave mbi importet e çelikut dhe aluminit.
Ndërsa Trump, si dikush që nuk di të bëjë prapakthehu, lëshoi një seri “cicërimash” sfiduese duke e akuzuar Trudeau se po shfaqet “i zemëruar”, ndërsa BE-në e Kanadanë se kanë përfituar nga “tarifat masive tregtare dhe kufizimet jomonetare kundër SHBA-ve ndër vite”.
“Hiqni tarifat tuaja dhe barrierat tregtare, përndryshe ne do iu përgjigjemi me të njëjtën monedhë”, shkroi ai.
Kryeministrja britanike, Theresa May, ndërkohë u shfaq me një qasje më pajtuese, duke thënë se dëshironte që BE-ja të vepronte me vetëpërmbajtje dhe në proporcion të drejtë në hakmarrjen kundër tarifave amerikane.
Si gjithmonë në një takim të G7-s, demonstrues të shumtë protestuan mesnatën e së enjtes në Quebec duke djegur flamuj amerikanë dhe të grupit të më të industrializuarve. Ndërkohë, policia vendase ka njoftuar se mbi 8.000 ushtarë dhe oficerë policie do të sigurojnë mbarëvajtjen e këtij samiti.
Top Channel