I 13 që doli para vetting-ut ishte kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, interesat e të cilit u përfaqësuan nga avokati Maks Haxhia.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit tha se Dedja ishte shfaqur bashkëpunues gjatë llogaridhënies me e-mail, në të cilën gjyqtari me karrierë 25-vjeçare kishte barrën e provës. Duke evidentuar lidhjet e pastra të kryegjyqtarit kushtetues, si edhe aftësitë profesionale, komisionerja Xhensila Pine qëndroi gjatë tek pasuritë e tij, kreditë dhe kontratat e borxheve me të afërmit.
Gjyqtari kushtetues rezulton me një banesë në kryeqytet dhe një kredi prej 120 mijë euro. Por, si e dyshimtë u prezantua huaja prej 25 mijë eurosh e marrë prej tij tek dy familjarë. Në një kontratë, kunati i tij i ka dhënë 10 mijë euro borxh përmes një deklarate të firmosur gjatë kohës që ishte jashtë vendit. Deklarata e këtij borxhi më pas është korrigjuar dhe ka si huadhënës babain e kunatit.
Por, avokati Maks Haxhia nuk e shikon si problematike, pasi, sipas tij, ky moment është saktësim dokumentash. Në kontratën tjetër, i vëllai i ka dhënë një borxh prej 15 mijë eurosh, në të njëjtën kohë kur vetë ai kishte marrë një kredi prej 40 mijë eurosh.
Episodi tjetër ku u ndal Komisioni i Pavarur i Kualfikimit ka lidhje me një apartament në Golem, që i përket vëllait të Dedjes. Por, komisioni pyeti se përse kontrata e energjisë elektrike rezulton në emër të Bashkim Dedjes.
Avokati Haxhia tha: “Duke qenë se Bashkim Dedja punonte në atë kohë në Durrës, ai i paguante energjinë, ujin dhe shpenzimet e tjera të vëllait”.
Duke depozituar prova të shumta që përfaqësojnë interesat e Bashkim Dedjas, avokati mbrojtës Maks Haxhia u ndal gjithashtu edhe në fenomenet e shoqërisë shqiptare që nga vitet ’90. Mes tyre, emigracioni, tranzicioni, por edhe viti 1997, që sipas Maks Haxhisë, ka sjellë zhdukjen e mjaft dokumentave.
“Duhet të merren parasysh sepse e gjithë Shqipëria ka sjellë të ardhura nga puna në emigracion”, deklaroi Haxhia.
Tashm, i fundmi i gjyqtarëve kushtetues që pret të dalë përpara vetting-ut është Gani Dizdari. E vetmja që ka kaluar deri më tani vetting-un është Vitore Tusha. Për Bashkim Dedjan pritet të jepet vendim në datën 13 qershor.
Top Channel